Boksieri Florian Marku është vlerësuar me Yllin e Madh të Mirënjohjes. Medalja iu dha nga Kryeministri Edi Rama gjatë një ceremonie të veçantë pritje për të pas fitores në ndeshjen me boksierin meksikan Miguel Parra.
Kryeministri Edi Rama e konsideron Florian Markun ambasador të suksesit kuqezi.
“Ne sot jemi këtu për të celebruar një histori jetësore të ngjashme me të mijëra shqiptarëve, të cilët si fëmijët janë marrë përdore nga prindërit në rrugën e emigracionit dhe bëjnë sukses. Po bëjnë sukses që nuk bëjnë lajm. Ndërkohë që suksesi i Florianit bën lajm. Dhe lajmi i mirë është që suksesi i Florianit është kuqezi.
Në aspektin ceremonial ne e kemi bërë dallimin, kemi ndërtuar Luizën me Kordonin e Madh që është më i larti në shkallën e vlerësimeve dhe ju takon krerëve të shteteve, qeverive. Pas kordonit vjen Ylli i Madh i cili është vlerësim i lartë që e kemi bërë për një sërë personalitetesh, përfshirë dhe dy ambasadorë shumë të rëndësishëm kur ju kemi dhënë lamtumirën. Dhe sot e bëjmë këtë vlerësim për një ambasador të Shqipërisë, i cili prejardhjen e ka në Kosovë nga gjyshi dhe në Myzeqe nga gjyshja. Gjyshi i përket komunitetit të shqiptarëve të Kosovës që sot jeton e banon si komunitet në zonën e Myzeqesë. Ka qenë aty jo për zgjedhjen e tij, por sepse u internua. Më pas Floriani me prindërit ka shkuar në emigracion në Greqi, më pas në Austri e më pas shpërthimin e tij e ka patur në Britaninë e Madhe.
Edhe ata që rrudhin buzët për këtë ceremoni, do duhet të buzëqeshin se bëhet fjalë për të nderuar një sportist sepse realisht i ka arritur të gjitha dhe na nderon të gjithëve pasi shpalos flamurin kuqezi si fitues në ekranet më të mëdha të televizioneve sportive. Është Floriani që e nderon këtë godinë me praninë e tij, siç ishte Luiza. Unë dhe ne jemi të nderuar që të ndajmë disa momente në këtë godinë me të tillë shqiptarë. Kështu ne përmirësohemi”.
Rama tha se dy rastet e fundit, ai i Luiza Gegës dhe i Florian Markut, do të shërbejnë në të ardhmen që me ceremoni të tillë të priten në Kryeministri të gjithë sportistët shqiptarë që ngrenë lart flamurin kuqezi në arenën botërore.
“Ka pasur dhe të tjerë kampionë jo aq të rëndësishëm ndoshta sa Luiza për shkak të asaj zone sportive ku arriti të jetë kampione, dhe ne nuk i kemi celebruar kështu. Por me celebrimin e Luizës ne e hapim këtë fazë dhe do të bëjmë të njëjtën gjë për të gjithë ata që do t’i sjellin Shqipërisë medalje. Sot ndryshe nga çfarë u tha, nuk ka më në Shqipëri protagonistë të braktisur të sportit. Sot ka një sistem mbështetje dhe një sistem shpërblimesh për protagonistët miratuar me vendim qeverie kohë më parë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Vlerësimi për boksierin Florian Marku: O e meritoj unë, o nuk e meriton askush
Boksieri Florian Marku u shpreh i emocionuar pasi u vlerësua nga Kryeministri Edi Rama me Yllin e Madh të Mirënjohjes.
Në një pritje të posaçme që iu rezervua në godinën e Kryeministrisë, Florian Marku rrëfeu sakrificat e tij dhe rrugën që ka nisur prej fillimeve të karrierës e deri më sot.
“Kjo për mua është një ëndërr që është bërë realitet. Njerëzit mendojnë se është fat, por jo. Të çarat në fytyrë janë gjëra të vogla. Nuk e kam hedhur kurrë poshtë flamurin shqiptar. Kam pasur shumë opsione në Greqi. I kam operuar duart 5 herë. Njerëzit mendojnë se është fat, po është shumë e vështirë. Asnjë gjë nuk është fat në jetë, do shumë punë, do shumë sakrifica. Asnjeri nuk është rastësisht aty ku është”.
Kritika ndaj tij, Marku i përgjigjet duke u thënë se çdo gjë e ka arritur me punë dhe e meriton suksesin e tij.
“Thonë hë se Floriani ka fat, hë se Floriani nuk e meriton. O e meritoj unë o nuk e meriton askush. Kam kaluar shumë gjëra. Por dashuria e madhe për t’i arritur këtu ku jam më ka bërë mos të dorëzohem. Me ndihmën e Kryeministrit dhe kryebashkiakut kemi diskutuar për të lançuar palestra të reja në të gjithë Shqipërinë me mbiemrin Marku ku do ketë palestra sporti nga verui deri në jug”, u shpreh Florian Marku.
Gjatë ceremonisë për nderimin e kampionit Florian Marku, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se Floriani mund të kishte zgjedhur çdo arenë, në çdo vend të botës, por zgjodhi Shqipërinë dhe Tiranën për të triumfuar.
Kryebashkiaku tha se pas një fitoreje të madhe, ka shumë punë, mund dhe djersë.
“Sot jam shumë i lumtur për suksesin e vëllait tonë, Flor Markut. Një histori e jashtëzakonshme, nga ato historitë që fantazia ndoshta nuk e përshkruan dot, por realiteti ndonjëherë tejkalon edhe fantazinë. Pas fytyres se tij nuk është vetëm fati, por ka shume mund dhe djersë e shumë punë”, u shpreh Veliaj.
Florian Marku të enjten në stadiumin ‘Air Albania’ mposhti meksikanin Miguel Parra Ramirez, duke fituar titullin WBC Silver. /tvklan.al