Podgoricë: Debat për mosbesim të qeverisë së Abazoviqit

ABAZOVIQ: DO TË ECIM PËRPARA OSE DO TË NGELIM NË VEND

Në seancë të jashtëzakonshme në Parlamentin e Malit të Zi sot do të debatohet dhe pritet të votohet për propozimin për mosbesim të qeverisë së Kryeministrit Dritan Abazoviq. Iniciativën e kanë dorëzuar pesë parti politike, të udhëhequra nga Partia Demokratike e Socialistëve e Presidentit Millo Gjukanoviq, kryesisht për shkak të marrëveshjes të cilën qeveria para pak kohësh e nënshkroi me Kishën Ortodokse Serbe.

Deputetët e partive opozitare në Parlamentin në Malin e Zi drejtojnë kritika të ashpra në llogari të qeverisë së Kryeministrit Dritan Abazoviq për gjendjen në ekonomi, energjetikë, infrastrukturë, biznes dhe evropianizim, edhe pse propozimi për votimin e mosbesimit u dorëzua menjëherë pasi qeveria në fillim të muajit e nënshkroi “Marrëveshjen Themelore” me patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirij.

“Po të na dëgjoni neve, qeveri e këtillë nuk do të zgjidhej asnjëherë. I kemi paralajmëruar partnerët tanë në Malin e Zi dhe jashtë tij se tregimi për qeveri të ashtuquajtur evropian dhe paqësore është vetëm “mantra”, e cila duhet ta mbulojë mashtrimin e madh të shpikur në Mal të Zi, ndërsa është vendosur si “një vezë qyqeje”.”

“Dritan, ke gabuar shumë. Ke punuar shumë, por për reformistët pak. Do të theksoj vetëm disa gjëra: e para është lufta kundër krimit të organizuar, sa herë ta kam propozuar. Nuk mundesh pa hapjen e dosjeve sekrete të hajdutëve që i përmend sot…” – Branko Raduloviq, fronti demokratik.

“Rruga jonë evropiane nuk është hapur, as nuk është zhbllokuar. Nuk është zgjedhur Këshilli Gjyqësor, nuk janë zgjedhur gjykatësit në Gjykatën Kushtetuese. Nuk ka reforma për ligjdhënien zgjedhore.” – deklaroi Sulo Mustafiq

Kryeministri Abazoviq tha se Parlamenti sot vendos nëse vendi do të ecë përpara ose do të ngelë në vend, duke shtuar se në qoftë se qeveria “mbijeton” do të pasojë rikonstruimi i saj, por ai do të mbetet në të njëjtën pozitë.

“Kjo qeveri mori vendime historike për këtë shtet, këtë nuk mund ta kontestojë askush. Në qoftë se dikush konsideron se duhet të hyjmë në periudhë të destabilizimit, ta ndalim luftën kundër krimit – OK. Nëse dikush mendon se duhet të përhapim urrejtje për bashkësitë fetare ose etnike, kjo nuk është OK, por nuk mund ta kontestojnë mendimin. Unë kam mendim krejtësisht tjetër. E di se kjo u pengon disa opsioneve politike tradicionale të cilat nuk janë mësuar me risi dhe e di se në Ballkan ka shumë njerëz që dëshirojnë që gjërat t’i mbajnë nën qilim. Unë nuk jam i tillë. Ose do të ecim përpara ose do të ngelim në vend. Për këtë do të vendoset sot në Parlament” – tha Abazoviq

Për “Marrëveshjen Themelore” me Kishën Ortodokse Serbe thotë se “është këtu për të marrë vendime të vështira” dhe se situata në masë të madhe është përmirësuar. Nga ana tjetër, Kisha Serbe, e cila në Malin e Zi ka shumë mbështetës, pas nënshkrimit të marrëveshjes njoftoi se “nuk do të ketë ambicie të arrijë çfarëdoqoftë më shumë nga ciladoqoftë bashkësi tjetër fetare në Malin e Zi”. Kundërshtarët e kësaj marrëveshje e interpretojnë si përforcim të ndikimit fetar dhe politik serb, por edhe rus në Malin e Zi. /KlanMacedonia/

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share