Rama kërkon më tepër fonde nga BE për Ballkanin Perëndimor

Shqipëria anëtarësohet në Këshillin Social Ekonomik të BE

Shqipëria dhe Mali i Zi të përfaqësuar nga kryeministrat Edi Rama dhe Miljoko Spajic kanë marrë pjesë për herë të parë në mbledhjen e Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian. Ky institucion synon përfshirjen në të të shteteve në procesin e zgjerimit.

“Integrimi është një proces i gjatë, por synimi ynë është që vendet kandidate të jenë pjesë e Komitetit Europian për Ekonominë dhe Çështjet Sociale edhe para anëtarësimit të plotë.

BE ofron më shumë se 14 miliardë Euro asistencë për shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku 2 miliard Euro janë mbështetje financiare për të drejtat themelore, demokracinë dhe sundimin e ligjit.”

Kryeministri Rama ka kërkuar me ngulm anëtarësimin në organizmat e BE-së përpara se shtetet e rajonit të jenë zyrtarisht anëtarë me të drejta të plota.

“Besoj fort se ajo ç’ka po ndodh sot këtu, duhet të ndodhë në Parlamentin e BE-së, duhet të ndodhë në Komisionin Europian dhe në Këshillin Europian. Kjo është e vetmja rrugë për të qetësuar të gjithë shpirtrat dhe për të injektuar një energji mjaft konkrete, një energji mjaft të prekshme, një energji mjaft të dobishme në të gjitha vendet kandidate dhe qytetarët e tyre lidhur me të ardhmen mjaft konkrete të të qenit pjesë e Bashkimit Europian, në të kundërt do të rrezikojmë t’i hyjmë një rruge që s’mbaron kurrë të qëllimeve të mira, të një morie premtimesh, por pa asnjë rezultat konkret apo mbajtjen e tyre.”

Rama këshilloi zyrtarët evropianë të mos presin për një agresion tjetër si ai i Putin ndaj Ukraines për të kthyer vëmendjen për integrimin e rajonit tonë.

“Mendoj që ndërkohë plani i ri i rritjes është po ashtu një tjetër shembull shumë i rëndësishëm i një shkalle ndërgjegjësimi, i një mënyre ndryshe e të parit të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të tjera kandidate, e të parit të vetë së ardhmes së Bashkimit Europian. Së fundmi po shohim që Bashkimi Europian është shumë më i vetëdijshëm në vepra, jo vetëm me fjalë për rëndësinë strategjike që ka Ballkani Perëndimor për Bashkimin Europian dhe është e trishtë që duhet Vladimir Putin që të ndodhte kjo gjë.

Besoj sidoqoftë fort se ne tashmë duhet ta ruajmë këtë ritëm duke ecur përpara me hapa të guximshëm e të mos presim për një agresion tjetër, për një goditje tjetër a një katastrofë tjetër që të na kujtojë pikë së pari të kujtojë njerëzit në Bruksel se sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor për Bashkimin Europian.”

Komiteti Ekonomik dhe Social Europian ka diskutuar për Planin e Ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një mekanizëm që rrit financimet për vendet e rajonit, si dhe hap rrugën në Tregun e Brendshëm të BE-së.

Klan News

 

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share