Vizita e liderit rus vjen për të krijuar marrëdhënie më të ngushta strategjike me Pekinin
Presidenti rus Vladimir Putin do të takohet me Xi Jinping në Kinë këtë javë në një përpjekje për të thelluar partneritetin mes tyre.
Putin do të marrë pjesë në Forumin Brez dhe Rrugë në Pekin më 17-18 Tetor, një projekt kyç gjeopolitik i Presidentit Xi për të zgjeruar shtrirjen globale të Kinës. Ky është udhëtimi i parë i kreut të Kremlinit që kur Gjykata Ndërkombëtare Penale me bazë në Hagë lëshoi një urdhër për të në Mars mbi dëbimin e fëmijëve nga Ukraina.
Por të gjithë sytë do të jenë te Putini, i cili muajin e kaluar i tha ministrit të Jashtëm të Pekinit Wang Yi në Shën Petersburg se ai kishte pranuar me kënaqësi ftesën e presidentit kinez për të vizituar Kinën. Kina dhe Rusia deklaruan një partneritet “pa kufij” në Shkurt 2022 kur Putin vizitoi Pekinin vetëm disa ditë para se të dërgonte dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë.
Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Kinën si konkurrentin e saj më të madh dhe Rusinë si kërcënimin më të madh. Në qendër të diskutimeve mes dy liderëve pritet të jetë bashkëpunimi ushtarak si dhe programi bërthamor.
Mes të tjerash Rusia dëshiron të sigurojë një marrëveshje për t’i shitur më shumë gaz natyror Kinës dhe planifikon të ndërtojë tubacionin Fuqia e Siberisë-2, i cili do të përshkojë Mongolinë dhe do të ketë një kapacitet vjetor prej 50 miliardë metra kub. Është e paqartë nëse marrëveshja e gazit veçanërisht çmimi dhe kostoja e ndërtimit të saj do të bihet dakord.
Klan News