AZIRI E ZENDELI: NUK E KEMI PARË ASNJËRIN PROPOZIM
Partitë opozitare shqiptare deri më sot nuk janë kontaktuar nga partitë në pushtet lidhur me propozimin francez. Lidhur me përmbajtjen, ata theksojnë se nuk kanë se çfarë të komentojnë, pasi nuk e kanë idenë se si duket asnjëri nga propozimet. Presin që së shpejti të bëhen pjesë e debatit të hapur lidhur me këtë çështje, raporton Klan M.
“Deri në këtë moment që po flasim, ne në formë zyrtare as nuk e kemi pa propozimin e fundit francez dhe as nuk jemi kontaktuar nga ana e Qeverisë, përpos deklaratës së kryeministrit që propozimi francez do të jetë objekt i diskutimeve me eksponentët politik pozitë dhe opozitë, në formë të subjektit politik nuk kemi ndonjë kontakt ose ftesë, presim ditëve në vijim ndoshta do të ndodh” – Elmi Aziri, Aleanca për Shqiptarët.
Në bazë të reagimeve të palës bullgare, opozitarët vlerësojnë se propozimi mund të mos ketë ndonjë ndryshim nga ai paraprak.
“Deri në këtë moment nuk kemi ndonjë dokument që të kemi lexu dhe të shohim se çka përmban, ajo që mund të vërejmë nga reagimet e opinionit publik dhe fqinjit lindorë, Bullgarisë, se propozimi nuk ka ndonjë ndryshim nga propozimi i paraprak të cilën qeveria e Maqedonisë e refuzoi. Nuk bëhet fjalë për ndryshim, bëhet fjalë për tekst të njejt. E them edhe njëherë nuk kemi parë tekst, deri sa ta shohim atëherë mund të prononcohemi rreth përmbajtjes së saj” – Fadil Zendeli, Levizja BESA.
Edhe kryeministri njoftoi se propozimi deri në këto momente është diskutuar brenda partnerëve të koalicionit dhe se takimi i së premtes është i pari sa i përket kësaj çështjeje, pasi së shpejti propozimi do të jetë pjesë e konsultimeve më të gjera me të gjithë faktorët. /KlanMacedonia/