Bytyqi: Me digjitalizimin mundësojmë qasje më të lehtë, më të shpejtë dhe transparente në shërbimet publike

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, sot ka mbajtur takim me përfaqësues të Këshillit Atlantik, një think tank jopartiak i politikës së jashtme me seli në Uashington, i cili përmes qendrës së tij evropiane, është i përkushtuar që ta mbajë Ballkanin Perëndimor të vendosur fort në rrugën euroatlantike.

Në takimin e zëvendëskryeministrit Bytyqi me Lisa Homel, ndihmësdrejtoreshë e Këshillit Atlantik për Evropë dhe Rejçël Rizo, pjesë e projektit “Ballkani Perëndimor Digjital”, potenciali i transformimit digjital në vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe u diskutua për statusin aktual të digjitalizimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut duke identifikuar sfidat dhe mundësitë kryesore për digjitalizim si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik.

Zëvendëskryeministri Bytyqi, nga ana e tij, konfirmoi përkushtimin e tij personal dhe të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) për digjitalizimin e plotë të shërbimeve në institucionet shtetërore dhe publike, që për qytetarët tanë do të nënkuptojë qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në procese që kanë rëndësi të madhe për ta.

“Automatizimi i plotë i shërbimeve nënkupton edhe qasje më të madhe për të gjithë qytetarët tanë, por më së shumti për ata që janë të përfshirë në grupet e margjinalizuara në shoqëri, që është një nga hapat që po bëjmë për të zhdukur varfërinë”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi i prezantoi bashkëbiseduesit me asistentin e parë digjital në sektorin publik, ADA, i cili lehtësoi qasjen në mbështetje shtetërore për të gjitha kompanitë në Maqedoninë e Veriut si dhe për të gjitha ato kompani të huaja që duan të investojnë në vendin tonë.

Ky, tha Bytyqi, është një tregues i qartë i përkushtimit të Qeverisë për transparencë të plotë të proceseve që kanë të bëjnë me flukset e investimeve në RMV, si të kompanive vendase ashtu edhe të huaja.

Në kuadër të projektit “Ballkani Perëndimor Digjital”, bashkëbiseduesit nga Këshilli Atlantik – Qendra e Evropës do të prodhojnë një raport mbi digjitalizimin e Ballkanit Perëndimor, i cili më pas do të jetë bazë për propozimet e ardhshme për bashkëpunim rajonal të sektorit të biznesit me platforma të mbështetura nga institucionet shtetërore në rajon si dhe duke paraqitur “politika të mira” që tashmë po tregojnë rezultate efektive.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share