Propozim ligji për marrëdhënie pune në seancë plenare

OPOZITA: KY PROPOZIM LIGJ PEZULLON TË DREJTËN NË MAQEDONI

Pas kalimit të filtrit në Komisionin për Çështje Evropiane, propozim ligji për marrëdhënie pune u gjend sot në seancë plenare, njofton KlanM.

Opozita po mundohet ta zvarrit miratimin e këtij ligji, sikurse edhe në procedurat e tjera parlamentare në të cilat kanë kaluar propozim ligjet që kanë të bëjnë me ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d.

Gjatë debatit të sotëm në seancë plenare, sic percjell KlanM, opozita e vlerësoi këtë propozim ligj si më skandalozin. Madje sipas tyre, përmes propozim ligji për marrëdhënie pune pezullohet e drejta në vend.

“Ne, në vend që t’i përmirësojmë ligjet, të kërkojmë zgjidhje më të mira për ligjet, pushteti i LSDM-së dhe BDI-së, me një pako ligjesh, dëshiron të pezullojë gjithë legjislacionin e Republikës së Maqedonisë. Dëshirojnë t’i pezullojnë të gjitha konventat që i ka nënshkruar Republika e Maqedonisë, në këtë rast në lidhje me punën. Kjo është ditë e turpshme për Republikën e Maqedonisë” – tha Zdravko Trajanov, VMRO-DPMNE.

Por, shumica parlamentare i ka hedhur poshtë akuzat se me këtë propozim ligj, shkelen të drejtat e punëtorëve.

Deputeti i LSDM-së, Martin Kostovski, sic njofton KlanM, duke iu përgjigjur këtyre akuzave, tha se, sipas këtij ligji, çdo punëtorë do të ketë mundësi që përmes një deklarate të nënshkruar, të shprehet nëse ndjehet i gatshëm të punojë orë shtesë dhe çdo orë shtesë jashtë orarit do të paguhet 35 %.

“Bëhet fjalë për ligj i cili do të rregullojë punën jashtë orarit, e cila ekziston gjithmonë, posaçërisht në ndërtimtari. Gjithkush që di çfarë është ndërtimtaria e din se çdoherë ka punë jashtë orarit, posaçërisht kur bëhet fjalë për projekt të interesit nacional. Puna jashtë orarit, nuk do të thotë 60 orë punë në javë, por kjo punë jashtë orarit nuk do të jetë as gjithë vitin, por vetëm në ato trase, në periudhën e pranverës, verës dhe vjeshtës” – deklaroi Martin Kostovski, LSDM.

Ndërkohë, në Komisionin për Çështje Evropiane ka vazhduar debati për propozim ligjin për planifikim urbanistik.

Kuvendi javën e kaluar, sic njofton KlanM, filloi procedurën për miratimin me procedurë të shkurtuar të 5 ligjeve që kanë të bëjnë me ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d. Të gjitha këto ligje janë me flamur evropian. Opozita e ka kritikuar pushtetin për këtë, duke thënë se po keqpërdor flamurin evropian. Për këtë, ka pasur vërejtje edhe nga Delegacioni i BE-së në Shkup. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Teuta Buçi

Lexo gjithashtu
Total
0
Share