Pjesëmarrja e partnerit të koalicionit qeveritar, Maksim Dimitrievski dhe Nënkryetares së Kuvendit, Vesna Bendevska, në promovimin e librit që ofendon rëndë Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, është një provokim i rëndë për shqiptarët dhe rikthim në plagët e vjetra të cilat është punuar ndër vite për t’i mbyllur – thuhet në reagimin e ASH-së së Ziadin Selës.
“Ky gjest është vetëm vazhdimësi e zhvillimeve të njëpasnjëshme kundër shqiptarëve dhe për forcimin e nacionalizmit maqedonas kundrejt të gjitha bashkësive etnike më vend. Kjo Qeveri monoetnike dhe jolegjitime, punon çdo ditë për devalvimin e vlerave dhe arritjeve të deritanishme. Ndërkohë partitë e VLEN në gjithë këtë situatë shërbejnë vetëm si lule dekori në saksitë e Mickoskit. Tanimë është mëse e qartë se kush dëshiron të nxisë destabilizim, duke prekur në mënyrë të drejtëpërdrejtë edhe në plagët e luftës”, thuhet në reagimin e ASH-së. /tvklan.mk