Prokurorët italianë hetojnë reagimin e autoriteteve pas tragjedisë

Mediat kanë vënë në pikëpyetje shërbimet e urgjencës: Nuk shkuan në vendngjarje, edhe pse morën telefonatë nga emigrantët

Prokurorët italianë po shqyrtojnë mënyrën se si shërbimet e urgjencës iu përgjigjën fatkeqësisë së fundjavës së kaluar ku humbën jetën emigrantët të cilët synonin Europën për një jetë më të mirë.

Mediat shkruajnë se autoritetet ishin shumë të ngadalta për të reaguar me pretesktin e motit të keq që përfshiu jugun e Italisë fundjavën e kaluar. Prokurorët nga qyteti kalabrez i Crotone i kanë kërkuar policisë Guardia di Finanza dokumente mbi veprimet e tyre përpara se anija me 200 emigrantë të përplaste në shkëmbinj dhe më pas të mbytej vetëm pak metra larg bregut. E njëjta kërkesë i është bërë edhe Rojës Bregdetare, raportojnë mediat italiane.

Presidenti italian Sergio Mattarella vizitoi të mbijetuarit në një spital, duke u shpërndarë lodra fëmijëve. Ai shkoi edhe në sallën e sportit ku janë vendosur arkivolet e viktimave, duke ulur kokën teksa bënte nderimet e tij.

Autoritetet lokale thanë se një trup tjetër u gjet, duke e çuar numrin e të vdekurve në 68. Pesëdhjetë e katër nga viktimat janë identifikuar tani 48 afganë, tre pakistanezë, një sirian, një tunizian dhe një palestinez. Një nga viktimat nga Pakistani ishte ish-hokeistja Shahida Raza.

Tragjedia ka intensifikuar një debat mbi migracionin në Evropë dhe Itali, ku ligjet e reja të ashpra të qeverisë së djathtë të zgjedhur së fundmi për organizatat bamirëse të shpëtimit të emigrantëve kanë tërhequr kritika nga Kombet e Bashkuara dhe të tjerë.

Kryeministrja Giorgia Meloni u ka bërë thirrje liderëve evropianë që të bëjnë më shumë për të ndalur emigracionin e paligjshëm dhe për të parandaluar tragjedi të tjera në det. Varka, e cila ishte nisur nga Turqia, u pa për herë të parë të shtunën e kaluar rreth 74 km nga brigjet e Kalabrisë nga një aeroplan i drejtuar nga Frontex, agjencia kufitare e Bashkimit Evropian.

Frontex tha se anija po lundronte pa shenja shqetësimi, por ajo paralajmëroi autoritetet italiane pasi kamerat e saj termike treguan se mund të kishte një numër njerëzish. Guardia di Finanza, e cila kontrollon vijën bregdetare, bëri të ditur se dërgoi dy varka patrullimi, por ata hoqën dorë nga kërkimi për emigrantët dhe u kthyen në port për shkak të kushteve të motit.

Mediat kanë vënë në pikëpyetje pse Roja Bregdetare, anijet e së cilës janë më të pajisura për t’u përballur edhe me mot të keq, nuk shkoi në vendngjarje pasi mori një telefonatë nga emigrantët mëngjesin e së dielës.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share