“Procesi i Berlinit”: Marrëveshja – hiqen barrierat akademike në rajon

MASH: PROMOVOHET MOBILITETI AKADEMIK DHE BASHKËPUNIMI

Marrëveshja e arritur të enjten në Berlin për njohjen reciproke të diplomave, heq barrierat akademike mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Marrëveshje e nënshkruar në kuadër të Samitit për Procesin e Berlinit, mes  liderëve të gjashtë vendeve i referohet njohjes reciproke të kualifikimeve të arsimit të lartë në vendet e Ballkanit Perëndimor, njohjes reciproke të kualifikimeve të arsimit të lartë për doktorët e mjekësisë, mjekësinë stomatologjike dhe arkitektët, si dhe lëvizja lirshëm me kartë identiteti në Ballkanin Perëndimor. Nga Ministria e Arsimit thanë se me këtë marrëveshje, promovohet mobiliteti akademik dhe bashkëpunimi, arsimi i lartë njihet si e mirë dhe përgjegjësi publike dhe ngritet mbështetja dhe mbrojtja e lirisë akademike dhe autonomisë së institucioneve të arsimit të lartë.

“Krijimi i politikave të integrimit rajonal në sferën e arsimit të lartë është një sukses i madh për të gjashtë shtetet. Zhvillimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë dhe atij kërkimor në Ballkanin Perëndimor mundëson edhe zhvillimin e njohurive përmes mobilitetit të studentëve, profesorëve, studiuesve dhe ekspertëve, duke krijuar themele për një zhvillim më të shpejtë të rajonit” – thonë nga Ministria e Arsimit.

Më tej, nga kjo ministri kanë shtuara se, marrëveshja rregullon njohjen reciproke të kualifikimeve të arsimit të lartë të fituara në institucionet e akredituara publike të arsimit të lartë, vazhdimin e studimeve dhe aksesin në tregun e parregulluar të punës në secilin nga gjashtë shtetet nënshkruese.

“Është paraparë bashkëpunimi maksimal ndërmjet qendrave kombëtare për njohjen akademike të kualifikimeve, shkëmbimi dhe ndarja e përvojave, mjeteve dhe bazave të të dhënave, bashkëpunimi përmes bazës rajonale të të dhënave për njohjen e Ballkanit Perëndimor , si dhe luftën e përbashkët kundër paraqitjes së falsifikimit të dokumenteve. Për organizimin, koordinimin dhe monitorimin e aktiviteteve në lidhje me zbatimin e kësaj Marrëveshjeje, do të krijohet një Komision i Përbashkët për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë, i përbërë nga tre përfaqësues nga secili prej shteteve nënshkruese” – thonë nga MASH.

Përpos marrëveshjes së diplomave, liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan edhe marrëveshje për njohjen reciproke të letërnjoftimeve. Marrëveshjet e nënshkruara duhet fillimisht të ratifikohen para se të hyjnë në fuqi. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share