Prej nesër Agjencia Teknike-Operative mbetet pa drejtor – i skadoi mandati drejtorit aktual

Nesër i skadon mandati Zoran Angelovskit, drejtor i Agjencisë Teknike-Operative, ndërsa procedura për zgjedhjen e drejtorit të ri mund të zgjasë 10 ditë, me çka për 10 ditë ky institucion i rëndësishëm i sigurisë do të mbesë pa drejtues, përcjell KlanM.

Angelovski u zgjodh si person i parë i Agjencisë Teknike-Operative (ATO) në Kuvend në vitin 2018 me 83 vota “pro”.

Mandati i drejtorit të ATO-s, i cili është ndërmjetës në përgjimet ndërmjet operatorëve dhe përdoruesve, zgjat pesë vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje.

Në seancën e djeshme parlamentare, deputetët votuan vendimin për publikimin e shpalljes publike për zgjedhjen e drejtorit të ATO-s.

Sipas ligjit, drejtori i ATO-s zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi me dy të tretat e votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve, ndërsa duhet të ketë shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë me propozimin e Komisionit Parlamentar të Zgjedhjeve dhe Emërimeve.

Për drejtor, siç përcjell KlanM,  mund të zgjidhet personi i cili i plotëson këto kushte: të jetë shtetas i Republikës së Maqedonisë së Veriut, të ketë fituar së paku 240 kredite ECTS, përkatësisht shkallën VII/1 të arsimit në këto fusha: informatikë, elektroteknikë, inxhinieri kompjuterike dhe informatikë, inxhinieri telekomunikacioni, siguri, siguri kompjuterike, shkenca juridike ose ekonomike, të ketë minimumi dhjetë vjet përvojë pune pas përfundimit të arsimit në fushat e parashikuara.

ATO u krijua në kuadër të reformave në sistemin e sigurisë-zbulimit, pas rekomandimeve të Priebes për të parandaluar abuzimet në monitorimin e komunikimeve, pas skandalit të përgjimeve masive. Si rezultat i reformave u krijua Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ASK) dhe ATO, të cilat morën përgjegjësitë për pajisjet dhe teknikën për monitorimin e komunikimeve./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share