PROPOZOHET QË PERSONAT ME NEVOJA TË VEÇANTA TË LIROHEN NGA PARTICIPIMET SHËNDETËSORE
Personat me nevoja të veçanta do të vazhdojnë betejën e tyre rreth kërkesave për rritjen e shtesave për fëmijë dhe të rritur për 78% dhe për rritjen e asistencës nga 80 në 160 orë, njofton KlanM.
Suaret Alishan nga Koalicioni “Ndryshojmë” tha se krahas këtyre kërkesave, kërkojnë që të përfshihen në procesin e ndryshimeve kushtetuese, që të kenë më shumë të drejta.
“I bëj thirrje komisionit të na ftojë, sepse me të vërtetë ne personat me nevoja të veçanta kur të përfshihemi në Kushtetutë, neve do të na garantohen të drejtat , atëherë do të kemi të drejtë të punojmë, do të shfrytëzojmë 10% të administratës, do të kemi të drejtë të jemi edhe politikanë, sepse do të duhet të ketë përfaqësim në Kuvend”, tha Suaret Alishan.
Ndërkohë, në Kuvend, siç njofton KlanM, sot janë dorëzuar propozim ndryshimet e ligjit për sigurim shëndetësor, me të cilat propozohet që personat me nevoja të veçanta të lirohen tërësisht nga participimet gjatë shërbimeve shëndetësore.
“Si deputet kemi marrë iniciativë dhe kemi propozuar ndryshimin e ligjit për sigurim shëndetësor, ku do të përmirësohet një e padrejtë e madhe që iu është bërë gati 30 vjet personave të hendikepuar dhe mendojmë se kjo është një lehtësim shumë i madh sepse dihet se personat që janë të hendikepuar më së shumti kanë nevoj për ndryshimin e ligjit shëndetësor”, tha Arben Ziberi, deputet.
Koalicioni “Ndryshojmë” nuk e pranon propozim-tekstin e Strategjisë Kombëtare për të drejtat e personave me nevoja të veçata, që vlen nga ky vit e deri në 2030, e që do të shkojë në procedurë qeveritare.
Edhe pse përgatitja e tekstit ka zgjatur një vit, siç përcjell KlanM, nga ky koalicion thonë se nuk janë ftuar të marrin pjesë në përgatitjen e dokumentit. Nuk pajtohen me përmbajtjen ku parashihen 46 milion euro për zbatimin e strategjisë duke thënë se këto mjete duhet të destinohen për këtë kategori qytetarësh./KlanMacedonia