Mes protestave të dhunshme, parlamenti i Gjeorgjisë miratoi projektligjin për agjentët e huaj që ka shkaktuar paralajmërime nga Brukseli se ai do t’i dëmtojë shpresat e vendit për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Ligjvënësit në Gjeorgji votuan me 83 vota pro dhe 23 kundër projektligjit në leximin e dytë, pas një debati të ashpër që përfshiu përjashtimin e katër deputetëve të opozitës dhe një përleshje midis anëtarëve që përfaqësojnë opozitën dhe partitë e shumicës. Parlamenti, i kontrolluar nga partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane dhe aleatët e tij, votoi përgjatë linjave partiake për të avancuar legjislacionin, duke shkaktuar një valë kritikash.

Ndërkohë, jashtë parlamentit, zyrtarë policorë filluan të shpërndanin një protestë të thirrur nga kundërshtuesit e projektligjit, duke përdorur gaz lotsjellës, spraj me piper dhe shkopinj gome. Kisha Ortodokse e vendit, një nga institucionet e saj më të mëdha në vend i bëri thirrje qeverisë dhe protestuesve të zhvillojnë bisedime për të zgjidhur në mënyrë paqësore atë që e quajti “krizë politike”.

Dhuna pasoi protesta të ngjashme, ku të martën autoritetet arrestuan 63 persona dhe gjashtë policë u plagosën. Ligjvënësit Aleko Elisashvili dhe Levan Khabeishvili ishin në mesin e të plagosurve, të cilët u dërguan në spital.

“Gjeorgjia është një vend kandidat për anëtarësim në BE, unë u bëj thirrje autoriteteve të saj të sigurojnë të drejtën për tubim paqësor”, shkroi Borrell. Kritikët e quajnë projektligjin “ligj rus” dhe presidentja Salome Zurabishvili, që është distancuar nga politikat e partisë në pushtet, ka premtuar se do të përdorë veton e saj ndaj këtij projektligji nëse ai miratohet zyrtarisht në një lexim të tretë. Projektligji ka rritur përçarjet në vendin e Kaukazit jugor, ku opozita, shoqëria civile, personazhe të famshëm, por edhe presidenti kritikojnë partinë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane.