Përplasje mendimesh mes kandidatëve për Rektor – A ka kushte UT-ja?

Kandidati për Rektor të UT-së, Jusuf Zejneli replikoi kandidatët tjerë, të cilët vunë theksin tek mungesa e laboratoreve dhe instituteve kërkimore shkencore në Universitetin e Tetovës. Sipas Zejnelit, në UT ka plot laboratore, ndërsa shtoi se edhe në rangim, ky universitet ka përparim të madh krahasuar me vitet kaluara.

“UT ka mjaft laboratore dhe institute. Edhe unë kam paraparë në programi tim laboratore dhe institute të reja. Ato përdoren dhe janë në numër shumë të madh”, theksoi Zejneli duke nxjerrë listën për t’i numëruar laboratoret.

Po i këtij mendimi nuk ishte kandidati tjetër, Dervish Alimi. Sipas tij, ato laboratore mund të ekzistojnë në letër, por që nuk kanë staf të punësuar.

“Askundi nuk figuron se kanë staf të punësuar aty… nuk themi ne për laboratore, por për institute dhe qendra. Laboratoret do të jenë brenda instituteve, institutet brenda fakulteteve. Jo të jenë të koncentruara diku aty dhe askush nuk  e di ku”, theksoi Alimi.

Zejnelin e kundërshtoi edhe kandidati Bashkim Ziberi, duke sqaruar dallimin mes laboratoreve kërkimore dhe atyre studentore. Sipas tij, krejtësisht mungojnë laboratoret kërkimore shkencore, të cilët në të shumtën e rasteve do të përdoren nga stafi akademik i universitetit.

“Flasim për laboratore kërkimore shkencore, nuk flasim për laboratore studentore. ne kemi në Fizikë laborator studentor, por nuk kemi fare laborator kërkimor shkencore në fushën e Fizikës”, tha mes tjerash Ziberi.

Ziberi shtoi se çdo vit si staf dorëzojnë kërkesa për mjetet të nevojshme në laboratore, por ato lista sipas tij kthehen bosh. Edhe mjetet elementare, sipas Ziberit, stafi dhe studentët i blejnë nga xhepi i vet.

“Ne edhe elementet bazë, si punë etanoli i blejmë prej xhepi e të mos shtiremi këtu tani sikur i kemi fonde për të bëerë materiale harxhuese. Çdo vit i dorëzojmë listat e ato lista neve na vijnë bosh, d.m.th. nuk sigurohen mjete për punë bazë kërkimore shkencore, të cilat nuk i kemi”, tha Ziberi.

Edhe profesorja Myqereme Rusi, kundërshtoi Zejnelin, duke ia bërë me dije se ata nuk e sulmojnë universitetin.

“Është keqkuptuar kjo se ia kanë dhënë të gatshme informatat e laboratoreve, po a është në vetëdije se laboratori i Teknologjisë ushqimore çka bën dhe a funksionon? “, pyeti Rusi.  /KlanMacedonia

 

Lexo gjithashtu
Total
0
Share