Shiu dhe breshëri në Dellçevë ka shkaktuar kaos dhe dëme të mëdha materiale, nëpër shtëpi dhe tokën bujqësore, duke shkatërruar edhe një pjesë të bimëve e frutave të hershme, përcjell KlanM.
Shiu i rrëmbyeshëm ka përmbytur një pjesë të madhe të bodrumeve të shtëpive dhe banesave dhe ka sjellë vështirësi në qarkullimin. Komuna e Dellçevës apeloi deri te qytetarët që të lajmërojnë dëmet e mundshme.
Sipas informacioneve nga komuna, për shkak të stuhisë është ndërprerë furnizimi me energji elektrike në disa nga vendbanimet e Dellçevës.
Qendra Rajonale për Menaxhimin e Krizave në Shtip informoi se stuhia e madhe në Dellçevë ka zgjatur nga ora 16:30 deri në 18:20 dhe se në qytet janë përmbytur më shumë se 60 objekte.
Ekipet e Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve nga Dellçeva janë në terren, të cilët ndërhyjnë së bashku me ekipet e Ndërmarrjes Komunale.
Mediat vendase bëjnë të ditur se nga stuhia e fortë me shi dhe breshër janë dëmtuar edhe rrugët e qytetit, disa prej tyre kanë dëme të mëdha në asfalt./KlanMacedonia