Përleshje të ashpra në Gazën jugore

Luftimet të përgjakshme vijuan sërish edhe këtë të mërkurë, ku forcat izraelite vijojnë me një intensitet në shkallë të plotë ofensivën. Tanket janë vendosur në tre zona Khan Younis në jug dhe Jabalia dhe Shuja’iya në veri, ku kanë mbetur qindra mijëra civilë. Ushtria izraelite goditi 250 objektiva të Gazës brenda një dite duke shkatërruar tunele nëntokësore, depo armësh etj. Një sulm izraelit në kampin e refugjatëve Nuseirat në Gaza qendrore vrau të paktën gjashtë ndërsa plagosi disa të tjerë duke shkatërruar disa ndërtesa.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari konfirmoi se ende 138 pengje mbahen në Gaza dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të bëjë më shumë për të siguruar lirimin e tyre si dhe Kryqit të Kuq që duhet të ketë qasje te pengjet. OBSH dhe OKB kanë bërë të ditur se masakra e civilëve duhet të ndalet ndërsa spitalet e Gazës përpiqen të përballojnë një rritje të numrit të palestinezëve që kanë nevojë për kujdes urgjent.

Situata humanitare po përkeqësohet nga ora në orë. OKB thotë se 600,000 njerëz janë nën urdhër evakuimi në Gazën jugore, por asnjë prej tyre nuk ka ku të shkojë për shkak të mbipopullimit në strehimore dhe ku askund nuk ka vend të sigurt. Shumica e mallrave bazë nuk janë në dispozicion pasi ndihmat kanë ndaluar së dërguari dhe frika rritet pasi viktima mund të ketë edhe për shkak të urisë. Moti i ftohtë po e përkeqëson edhe më tej situatën, teksa mungojnë veshjet dhe strehimoret nuk janë të sigurta. Lufta ka vrarë më shumë se 16,200 njerëz në Gaza, 70% prej tyre gra dhe fëmijë dhe ka plagosur më shumë se 42,000.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se do të ketë një Gazë të çmilitarizuar pas luftës. Kjo sipas analistëve do ta vendosë Izraelin në një kurs përplasjeje diplomatike, jo vetëm me fqinjët e tij, por me SHBA-në, të cilat vazhdimisht kanë thënë se nuk mund të ketë humbje të territorit në Gaza pas luftës.

Zyrtari i lartë i Hamasit, Osama Hamdan është shprehur se grupi është i mirë i përgatitur për të luftuar, pavarësisht sa zgjat lufta. Ndërkaq sipas disa raporteve të mediave amerikane, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë flasin se Izraeli mund të përfundojë operacionet e tij ushtarake në shkallë të gjerë në Gazën jugore deri në janar dhe më pas të kalojë në sulme më të shënjestruara ndaj Hamasit.

Duke cituar shumë zyrtarë të lartë të administratës, CNN thotë se ka shqetësime nga zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë për mënyrën se si do të shtrihet ofensiva, ku zyrtarët kanë paralajmëruar Izraelin të kufizojë dëmet dhe viktimat civile.

Dhuna në Bregun Perëndimor po sjell shkatërrim dhe frikë. Forcat izraelite kanë bastisur kampin e refugjatëve Balata në qytetin e Nablusit. Tre persona u plagosën dhe forcat izraelite arrestuan disa të tjerë nga kampi Balata.

Klan News

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share