Në listën e re të Shangait të universiteteve më të mira në botë (Shanghai Ranking Consultancy), nuk ka asnjë universitet nga Maqedonia, por nuk ka as universitete nga Bullgaria dhe Shqipëria në mijëshen e parë, përcjellë Klan M. Ky është viti i tretë me radhë që nuk ka asnjë institucion të arsimit të lartë maqedonas në mesin e mijëra universiteteve më të mira në botë.
Midis universiteteve në rajon, Universiteti i Beogradit ka përmirësuar pozitën e tij. Siç është raportuar, Universiteti i Beogradit renditet midis 301 dhe 400 në listë. Universiteti i Novi Sadit mbajti pozicionin e vitit të kaluar, midis 901 dhe 1000 vendesh.
Nga pjesa tjetër siç njofton Klan M, Universiteti i Zagrebit mbajti pozicionin e tij midis vendit 401 dhe 500, ndërsa Universiteti i Lubjanës arriti një renditje më të keqe dhe është në listë midis vendit 601 dhe 700.
Lista e Shangait është joformale, por konsiderohet si një nga më të respektuarat.
Universiteti i Harvardit nga SHBA ka kryesuar listën për 21 vjet. Në vendin e dytë është Universiteti Stanford dhe në vendin e tretë është Instituti i Teknologjisë në Masaçusets (MIT) – të gjithë nga SHBA. Universitetet amerikane, në fakt, mbajnë 14 nga 20 vendet e para në listën e Shangait. /KlanMacedonia/