“Për shkak të mendimit ndryshe” – Grupi i zjarrit: BDI, Dega Gostivar ngeli pa asnjë përfaqësues në ekzekutiv

Shkarkohet edhe përfaqësuesi i fundit në ekzekutivin aktual, nga dega e BDI-së në Gostivar, përkatësisht sekretari shtetëror në Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale z. Resmi Ejupi. Kështu njoftuan sot nga grupi i të pakënaqurve në BDI, që tani thirren si “fraksioni” brenda kësaj partie, pêrcjell KlanM.

“Me shkarkimin e Ejupit dhe më herët të Bashkim Hasanit, një prej degeve më të mëdha të BDI-së, siç është dega e Gostivarit ngel pa asnjë përfaqësues në nivel të tre eshalonëve qeveritar, që ndodh për herë të parë që nga themelimi i BDI-së”, thuhet në reagim.

Ndërkaq ka reaguar edhe vet i shkarkuari, Resmi Ejupi, i cili la të kuptohet se shkarkimi ka ardhur si rezultat i shprehjes së mendimit të lirë. Ai shtoi se do të vazhdojë të përkrahë “Grupin e zjarrit”, duke i cilësuar qëndrimet e këtij grupi se janë për të mirën e shoqërisë dhe BDI-së, përcjell KlanM.

“Dua që t’ju informoj që nga dita e djeshme nuk e ushtroj pozicionin e Sekretarit shtetëror në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe këtu vlen të theksoj se arsyeja e vetme se pse shkarkohem nga ky pozicion është shprehja dhe përkrahja e mendimit ndryshe”, thuhet mes tjerash në reagimin e Ejupit.

Në këtë pozitë Ejupi ka qenë që nga viti 2020./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share