Pentagoni publikon pamjet e incidentit të avionëve luftarakë rusë dhe dronit amerikan

Pentagoni publikoi sot pamjet e incidentit të dy avionëve luftarakë rusë Su-27 me një dron ushtarak amerikan MQ-9 mbi Detin e Zi.

Sipas ushtrisë amerikane, në pamjet e deklasifikuara shihet momenti kur avioni rus dëmton helikën e dronit amerikan, gjë që çoi në vendimin për ta shkatërruar atë në ujërat e Detit të Zi.

Incidenti u përcoll me reagime të ashpra nga Shtetet e Bashkuara. Rusia thotë se avionët e saj luftarakë nuk patën kontakt me dronin dhe pretendon se mjeti fluturues amerikan u rrëzua pasi bëri një manovër të mprehtë.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Në pamjet 40 sekondëshe, shihet një avion luftarak rus duke lëshuar karburant, teksa kalonte mbi dronin përgjues amerikan.

Për pak çaste droni ndërpret transmetimin e videos.

Një avion i dytë luftarak rus ndjek në mënyrë të ngjashme dronin amerikan. Edhe ai shihet duke lëshuar karburant mbi dronin. Transmetimi i videos nga droni ndërpritet për 60 sekonda. Kur rikthehet transmetimi i videos, shihet që një prej fletëve të helikës së dronit është dëmtuar si rezultat i kontaktit me avionin

Një ditë më parë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, bisedoi në telefon me homologun e tij rus Sergoi Shoigu rreth incidentit, por nuk pranoi të japë detaje nga biseda.

Sekretari Austin theksoi ndërkohë, se Shtetet e Bashkuara do t’i vazhdojnë operacinet me dron mbi ujërat ndërkombëtare.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të fluturojnë dhe operojnë kudo që e lejon ligji ndërkombëtar. Ne i trajtojmë me shumë seriozitet rastet që mund çojnë në një përshkallëzim, prandaj besoj se është e rëndësishme të mbahen të hapura linjat e komunikimit. Është e rëndësishme të angazhohemi së bashku që të parandalojmë gjykimet e gabuara në të ardhmen”, tha zoti Austin.

Sipas zyrtarëve, kjo është biseda e parë midis dy shefave të mbrojtjes që nga tetori.

Ushtria amerikane tha se droni i rrëzuar amerikan MQ-9 po kryente një operacion rutinë në hapësirën ajrore ndërkombëtare të martën.

Forcat amerikane e rrëzuan dronin në ujërat e Detit të Zi, pas dëmit, që pësoi nga kontakti me avionin rus.

“E dimë se ndjekja ishte e qëllimshme. Ne e dimë se sjellja ishte agresive dhe e qëllimshme. Ne gjithashtu e dimë se ishte veprim joprofesional dhe i pasigurt”, u tha gazetarëve të mërkurën gjenerali Mark Milley, Shefi i Shtatmadhorisë së ushtrisë amerikane.

Ai tha se “ende nuk është e sigurt nëse kontakti i avionit rus me me dronin ishte i qëllimshëm”.

Rusia tha se po shqyrton nisjen e një operacioni për gjetjen e mbetjeve të dronit. Zyrtarët amerikanë thanë se para rrëzimit të dronit, ata shkatërruan të dhënat, për të penguar Rusinë të sigurojë informacione sekrete. Shtetet e Bashkuara nuk kanë anije në Detin e Zi, që kryesisht kontrollohet nga Rusia.

“Por kemi shumë aleatë dhe miq në zonë dhe do të punojmë përmes operacioneve të rimëkëmbjes. Kjo është pronë e Shteteve të Bashkuara”, tha zoti Milley.

Gjenerali më i lartë amerikan tha se droni mund të jetë copëtuar dhe se rikuperimi i mbetjeve të tij është i vështirë, duke pasur parasysh thellësinë e Detit të Zi.

Rusia ka mohuar mundësinë që avioni i saj të ketë pasur kontakt me dronin, duke thënë se ai u rrëzua pasi bëri “manovra të befasishme dhe se po fluturonte në mënyrë provokuese pranë hapësirës ajrore ruse afër Krimesë”, të cilin Moska e aneksoi me forcë nga Ukraina në vitin 2014.

Incidenti që përkeqësoi marrëdhëniet trashmë të tensionuara midis Uashingtonit dhe Moskës, është i pari i drejtpërdrejtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur Ukrainën me dhjetëra miliarda dollarë ndihma ushtarake, por trupat e amerikane nuk janë përfshirë drejtpëdrejt në luftë./VOA

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share