Pas dy orësh, seanca e parë e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së është në pauzë

Më poshtë iu sjellim të përmbledhura pikat kyçe të kësaj seance:

Në nisje të gjyqit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u deklaruan të pafajshëm për aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit

Prokuroria nisi deklaratën hyrëse, që pritet të jetë në kohëzgjatje prej maksimumi pesorësh, duke argumentuar se gjatë gjykimit do të paraqesë prova që dëshmojnë se katër ish-krerët e UÇK-së kanë “personalisht përgjegjësi për krimet” që janë paraqitur në aktakuzë

Prokurori i Specializuar, Alex Whiting, tha se ky rast nuk është “gjykim i UÇK-së”, por vetëm ndaj katër të pandehurve

Sipas Prokurorisë së Specializuar, të katër të akuzuarit ishin udhëheqës të një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe se qëllimi i kryerjes së krimeve ishte fitimi i pushtetit

Sipas prokurorisë, shumica e viktimave ishin shqiptarë dhe katër të pandehurit kishin vënë në shënjestër persona që i konsideronin kundërshtarë të UÇK-së dhe bashkëpunëtorë të Serbisë

Prokuroria tha se katër të akuzuarit ishin anëtarë themelues të UÇK-së dhe të Shtabit të Përgjithshëm

Sipas Prokurorisë, gjatë luftës Thaçi kishte drejtuar drejtorinë politike, Veseli atë të zbulimit, Selimi kishte qenë inspektor i përgjithshëm i UÇK-së dhe Krasniqi kishte qenë zëdhënës

Detyrat, sipas Prokurorisë, janë konfirmuar nga Selimi gjatë intervistës dhënë para prokurorëve të specializuar në Hagë, por edhe nga një libër i Krasniqit, ku përmendej hierarkia e UÇK-së

Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. /REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share