“MARRËVESHJET ME FQINJTË NUK JANË PJESË TË SEGMENTEVE TË VEÇANTA TË KORNIZËS NEGOCIUESE”
20 ditë pas publikimit dhe prezantimit, kur në dërrasë shkollore, me shkumës në dorë, Ministri I Jashtëm, Bujar Osmani, u përpoq ta thjeshtësojë dhe sqarojë kornizën Negociuese me BE-në, nuk është ndalur vala e përgjigjeve, komenteve dhe kritikave.
Osmani, përmes një videomesazhi të ri, ka theksuar se asnjë nga komentete e shumta nuk ka dhënë një argument të prekshëm, që do t`i përgënjeshtronte argumentet që ai i prezantoi më 5 gusht.
“Mesazhi bazë mbetet i pandryshuar. Marrëveshjet me fqinjtë dhe Pasqyrat nuk janë pjesë të segmenteve të veçanta të kornizës Negociuese ku ka njoftim me shkrim dhe votim nga ana e vendeve anëtare të BE-së”, tha Bujar Osmani.
Ministri Osmani sërish ka bërë thirrje për reagime, nëse dikush ka dëshmi faktike për të kundërshtuar prezantimin e tij.
“Diskursi i sinqertë përforcon demokracinë tonë. E respektoj secilin prej jush, pa marrë parasysh nëse jeni pajtuar me metodën ose jo. Qëllimi ynë përfundimtar është e ardhmja më e ndritur evropiane për RMV-në dhe besoj se bashkë, me dialog të hapur dhe me fakte, këtë mund ta arrijmë”, tha Bujar Osmani.
Qëllimi i video-prezantimit të 5 gushtit, sic sqaroi atëherë Osmani, ishte që t`i përgënjeshtrojë spekulimet lidhur me përmbajtjen.
Me rëndësi, tha atëherë Osmani, se në asnjë nga udhërrëfyesit ose shkallët në pjesën e posaçme të kornizës Negociuese nuk ka referenca ose ndërlidhje me Marrëveshjen me Bullgarinë.
Në reagimin që pasoi nga VMRO-DPMNE-ja, u tha se Ministri Osmani mund të shkruajë cfarë të dojë, por kjo nuk do ta ndryshojë faktin se Bullgaria haptazi paralajmëron kushtëzime të reja që kanë për qëllim mohimin e identitetit të maqedonasve./KlanMacedonia