Në vazhdim të vizitave të shumta në përfaqësitë diplomatiko-konsullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut me vëllim dukshëm të shtuar të punës konsullore, sot Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani po qëndron në ambasadën në Bernë të Zvicrës. Në këtë Ambasadë, krahas shërbimeve të tjera konsullore për qytetarët tanë, stacioni bazë bën fotografi dhe merr të dhëna biometrike për lëshimin e dokumenteve të udhëtimit, ndërsa nga sot vihet në funksion edhe një stacion mobil shtesë paralel me stacionin bazë.
“Kam ardhur këtu për t’i inkurajuar diplomatët që u shërbejnë rreth 300 qytetarëve tanë çdo ditë, por edhe për të parë se si po shkon procesi i lëshimit të dokumenteve të reja të udhëtimit. Kam sjellë një stacion tjetër mobil për fotografim, që do të thotë se edhe këtu në Bern po punojmë me dy punkte paralelisht, që do të thotë se paralelisht dy ekipe po fotografojnë dhe shpërndajnë dokumente të reja udhëtimi”, theksoi Osmani.
Ambasada në Bern është një nga ambasadat më të ngarkuara në Europë në të cilat ka stacion bazë. Ashtu si në përfaqësitë tona diplomatiko-konsullore në Bruksel, Bon dhe Berlin, Ambasada në Bern riorganizoi punën e saj në seksionin konsullor për të shkurtuar kohën e ofrimit të shërbimeve dhe për t’i pajisur qytetarët tanë me dokumente udhëtimi sa më parë.
“Sfidat vazhdojnë kudo për shkak të situatës emergjente. Faktor lehtësues është vendimi i Zvicrës për të lejuar qytetarët tanë të udhëtojnë me dokumentet e vjetra të udhëtimit. Megjithatë, jemi riorganizuar me diplomatë shtesë, duke punuar në dy ndërrime dhe duke punuar në fundjavë”, përfundoi ministri.
Nga Zvicra, Osmani vazhdon në përfaqësinë në Venecia, me qëllim njohjen nga afër me situatën dhe zbatimin e riorganizimit për të përmbushur interesat e qytetarëve tanë në Itali.