Osmani në Nju Jork në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së 

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, nga nesër do të marrë pjesë në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të 78-të të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, ku në cilësinë e Ministrit të Punëve të Jashtme, por edhe si kryesues i OSBE-së, A5 dhe PBEJL, do të marrë pjesë në shumë ngjarje të rëndësishme, njoftojnë nga MPJ.

Kjo vizitë, siç thuhet, realizohet në një moment historik për Maqedoninë e Veriut, kur vendi njëkohësisht kryeson tre procese të ndryshme me rëndësi të madhe nacionale: OSBE-në, SHBA – Kartë e Adriatikut (A5) dhe Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore – PBEJL, ku kryesues është Ministri Osmani, përcjell KlanM.

“Në këtë drejtim, Osmani do të udhëheqë takime të rëndësishme me vendet e A5 SHBA-Karta e Adriatikut, vendet anëtare të PBEJL-së, Treshen e OSBE-së, si dhe takime bilaterale me Ministrat e Punëve të Jashtme të disa vendeve. Njëherit do të marrë pjesë në një sërë ngjarjesh të tjera të nivelit të lartë të organizuara nga OKB. Delegacioni i segmentit të lartë në Asamblenë e Përgjithshme këtë vit udhëhiqet nga Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ndërsa Debati i Përgjithshëm mbahet me temën ‘Rindërtimi i besimit dhe rikthimi i solidaritetit global: Përshpejtimi i veprimit për Agjendën 2030 dhe qëllimet e saj për zhvillim të qëndrueshëm drejt paqes, prosperitetit, progresit dhe qëndrueshmërisë për të gjithë'”, thonë nga MPJ./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share