Osmani akuzoi Mickoskin për albanofobi

LSDM: 100 ditë para zgjedhjeve do të ketë qeveri teknike!

LSDM dhe BDI janë kundër kërkesës së VMRO – DPMNE-së për shfuqizim të qeverisë teknike në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.

Madje sipas nënkryetarit të BDI-së, Bujar Osmani, kërkesa e kreut të VMRO-së, është në kuadër të fushatës albanofobe që po zhvillon opozita maqedonase.

Osmani akuzoi Mickoski se, po tenton të bazojë fushatën në “albanofobi, eurofobi e bullgarofobi”

“Nuk është kundër qeverisë teknike për shkak të ministrave dhe zëvendësministrave, por për shkak të kryeministrit shqiptar. Ne mund të flasim për Qeverinë e Përzhinos, megjithatë gjithçka që do të vendosim duhet të hyjë në fuqi për zgjedhjet e ardhshme. Nuk mund të vlejë për këto zgjedhje. Meqë ai e imponoi temën për kryeministrin shqiptar, mendoj se nuk ka hapësirë që të diskutohet kjo çështje, sepse është e dakorduar, për këtë ka konfirmuar edhe kryeministri”, deklaroi nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani.

Ai shtoi se, në fillim të dhjetorit do të ketë mbledhje mes liderëve dhe do të lihet të arrihet konsensus, është shumë e rëndësishme që të ketë konsensus për terminin e zgjedhjeve.

Ndërkohë, LSDM tha se çështja e shfuqizimi të qeverisë teknike mund të diskutohet për ciklet e ardhshme zgjedhore, por në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, do të ketë qeveri teknike.

“Në Maqedoni do të ketë qeveri teknike 100 ditë para zgjedhjeve në vitin 2024, siç e kërkon ligji për Qeveri. LSDM në vitet e fundit ka krijuar ambient që të mbahen zgjedhje fer dhe demokratike. Mund të diskutohet shfuqizimi i Qeverisë teknike, por në ndonjë cikël të ardhshëm zgjedhor, për çka dhe nevojitet konsensus politik me të gjitha partitë politike. Si përkujtim, qeveria teknike u formua në periudhën kur qeveriste VMRO – DPMNE dhe kur nuk mbaheshin zgjedhje fer dhe demokratike”, tha zëdhënësi i LSDM-së, Darko Kaevski.

Kreu i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski tha ditë më parë se, është i gatshwm që të mos ketë Qeveri Teknike, vetëm që BDI-ja pas vete mos ta ketë kryeministrin, duke vlerësuar se, do të ishte nënçmim nëse BDI-ja nominon kryeministrin në Qeverinë teknike.

Por, kryeministri Dimitar Kovaçevski, deklaroi se 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve do të ketë Qeveri teknike, pasi sipas tij, është obligim ligjor./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share