OEMVP – Propozim Ligji i tatimit të solidaritetit i dëmshëm për ekonominë, deputetët të mos e votojnë të njëjtin

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore vazhdon në qëndrimin e saj për mosmiratimin e Propozim Ligjit për tatimin e solidaritetit, sepse i njëjti është në kundërshtim me atë që është thuhet në arsyetimin e ligjit, gjegjësisht nuk bazohet në parimet e drejtësisë, barazisë dhe proporcionalitetit, por i njëjti bën seleksionimin e kompanive dhe “dënon” të suksesshmit, të cilët jo domosdoshmërish kanë realizuar fitim ekstra si pasojë e krizës.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut ekziston Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe nëse ky komision vlerëson që disa kompani kanë përfituar si rezultat i pozicionit dominues në treg të mundësuar nga kriza, atëherë duhet të iniciohet procedurë nga i njëjti dhe ato mjete të konfiskohen. Përskaj të gjitha komplikimeve të cilat ky ligj mund ti sjellë qoftë në plan afatshkurtër apo afatgjatë, i njëjti i destimulon kompanitë të investojnë dhe të zhvillohen, sepse në rast të rritjes së të ardhurave dhe neto fitimit, do të duhet të paguajnë tatim shtesë, gjë e cila mund të stimulojë edhe më tej ekonominë joformale.

Siguria juridike apo ekonomike e kompanive vendore apo investitorëve të huaj varret skajshëm nga aftësia e institucioneve për të gjetur zgjidhje të drejta dhe të arsyeshme në kohë krizash, ndërsa zgjidhjet për tejkalim të së njëjtës nuk duhet të bien në shpinë të bizneseve të cilët akoma nuk po arrijnë të rikuperohen nga sfidat e njëpasnjëshme.

OEMVP qëndron stoik në qëndrimin e saj që ky ligj të mos miratohet dhe ka apeluar tek të gjitha institucionet kompetente që të reflektojnë dhe të gjejnë mënyra alternative për zbutjen e pasojave të krizës.

Shërbimi për informim, Oda ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore

Lexo gjithashtu
Total
0
Share