Në konviktin ilegal të Çashkës për pesë nxënës mbahen pesë të punësuar

Pritet që komunës t’i merren kompetencat e arsimit

Pesë nxënës të Komunës së Çashkës qëndrojnë në një objekt i cili kryen funksionin e konviktit për nxënës. Më i vogli është vetëm 7 vjeçar. E askush nuk e din se si është formuar ky subjekt, si paguajnë nxënësit dhe cilët janë kriteret për tu pranuar. Ekipi i gazetarëve shkoi për të kërkuar përgjigje nga drejtori i shkollës “Todor Janev” në Çashkë, e drejtori na priti në dritare.

Edhe pse akuzat janë serioze, ai për çdo pyetje përgjigjej me: Do të përgjigjem me shkrim.

– A funksionon konvikti në mënyrë ilegale?

– Me shkrim!

– Sa nxënës janë brenda?

– Me shkrim!

– Ku paguajnë ato nxënës?

– Me shkrim!

– Ku përfundojnë paratë e tyre?

– Me shkrim

– Me shkrim! Mirë.

Klan Maqedoni iu drejtua Inspektoratit të arsimit. Nga ky institucion kishin njohuri për këtë çështje.

“Shkolla nuk ka akt për themelim të konviktit të nxënësve
Në statutin e shkollës askund nuk figuron veprimtaria për konviktin e nxënësve
Pranimi i fëmijëve është pa procedurë (nuk ka kërkesë, fletëparaqitje, deklaratë apo kontratë me prindërit)
Nuk udhëhiqet evidenca dhe dokumentacioni pedagogjik te konvikti i nxënësve
Nuk ka libër kryesore, ditar për grupet arsimore dhe Program për punë”
Për 5 nxënësit e Komunës së Çashkës, konkretisht të fshatrave Kriva Krushë dhe Novo Sellë shkolla nuk ka siguruar transport për bartjen e nxënësve dhe këto nxënës janë detyruar që të vendosen në konviktin qe funksion ilegalisht vetëm që 5 të punësuarit aty të mbajnë vendet e punës”, thanë nga Inspektorati i Arsimit.

“Ky është internati në të cilin sipas informatave zyrtare funksionon ilegalisht dhe nuk kemi të dhëna të sakta se sa nxënës ka brenda pasi drejtori nuk deshi të prononcohet para TV Klan M, por do të shkojmë tek kryetari i komunës së Çashkës dhe të shohim a kanë atje përgjigje adekuate lidhur me këtë çështje”, thotë gazetari Avni Tahiri.

“Në këtë moment ka nxënës nga Kriva Krusha dhe nga fshati Novo Sellë, nga komuna Cashkë diku 7 km larg janë këto fshatra dhe 90 % rruga është e pa asfaltuar dhe e vështirë për transport, nuk ka kompani për t’i transportuar. Konvikti ka ekzistuar gjithmonë, a është legal apo jo legal unë nuk e di, është ndërtuar nga shteti dhe para 10-15 vitesh shteti udhëhiqte me arsimin dhe nëse ministria nuk e ka rregulluar këtë çështje komuna s’di çfarë mund të bëjë. Dhe ky konvikt financohet nga buxheti i shkollës, gjithmonë ka qenë kështu dhe ashtu është edhe tani”, deklaroi Goran Stojanovski, kryetar i Komunës së Çashkës

Përveç shkeljeve tjera nga Inspektorati i Arsimit thanë për 75 nxënësit shqiptar qe ndjekin mësimin në gjuhen maqedonase, prindërit e tyre edhe pse kanë kërkuar të mësojnë në gjuhën amtare, kërkesat e tyre nuk janë pranuar nga ana e shkollës. Drejtori i shkollës nuk ka ndërmarrë kurrfarë masa dhe aktivitete për zgjidhjen e kësaj problematike gjegjësisht nuk e ka informuar themeluesin si dhe ministrinë e arsimit.

Sipas burimeve tona pas gjitha këtyre shkeljeve pritet që komunës së Çashkës ti merren kompetencat e arsimit./KlanMacedonia

Gazetar: Avni Tahiri

Lexo gjithashtu
Total
0
Share