Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi deklaroi se Kuvendi është gati dhe ka votat e nevojshme prej 2/3 për Ndryshimet Kushtetuese, ndryshime këto të nevojshme për vazhdimin e rrugës së integrimit në Bashkimin Europian, por nuk përmendi se kur këto ndryshime mund të ndodhin sepse sipas tij, kjo varet nga marrëveshja politike.
“Parlamenti është gati që në cdo moment procedurën për ndryshime kushtetuese dhe ta përmbyll në një afat më të shkurtër të mundshëm ashtu sic e parasheh edhe kushtetuta po edhe rregullorja. Besoj që edhe numrat e 2/3 i kemi vetëm varet nga momenti politik, kur do të kemi sinjal, garancë se ndryshimet e tilla kushtetuese do të nënkuptojnë që të mos kemi edhe në të ardhmen hapje të kushtetutës për cështje që kanë të bëjnë me identitetin, kulturën, historinë e kështu me rradhë” – tha Gashi
Duke folur për termin 20% Gashi tha se partitë dhe deputetët shqiptarë janë të unifikuar për këtë cështje dhe kërkojnë heqjen e të njejtit sepse sipas tij, termi është ofendues për shqiptarët. Sipas Gashit, heqja e këtij termi varet nga partitë maqedonase dhe gatishmërisë së tyre.
“Ju e dini se të gjithë deputetët dhe partitë shqiptare e kanë qëndrimin pak a shum të unifikuar rreth formulimit se si gjuha shqipe formulohet në Kushtetutë, kjo është një formulim që nuk e nderon asnjë, nuk e nderon shqiptarin dhe neve si shqiptarë. Normalisht, që ne do të tentojmë që të ndryshohet ai formulim por është cështje e marrëveshjes politike se a ka sens politik për momentin nga të gjitha palët që të përceptohet kjo kërkesë e shqiptarëve” – tha Gashi.
Ndryshe, dje Komisionerja e re Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në një deklaratë për media menjëherë pas miratimit të përbërjes së re të Komisionit Evropian, tha se pret që Maqedonia e Veriut të ndryshojë Kushtetutën, sepse, siç tha ajo, është diçka që Bashkimi Evropian është duke llogaritur. /tvklan.mk/