NBA: LeBron James theu rekordin e Kareem Abdul-Jabbar me pike të shënuara

LeBron James ka shkruar sot historinë e NBA-së, duke u bërë shënuesi më i mirë. Ylli i Lakers realizoi 38 pikë në ndeshjen e humbur ndaj Oklahoma (130-133), të mjaftueshme për të kaluar një tjetër legjendë si Kareem Abdul-Jabbar. Tashmë, “king James” ka 38.890 pikë në NBA, tri më shumë se Jabbar (38.887).

Momenti emocionues ndodhi në fundin e periodës së tretë, kur LeBron realizoi dy pikët që parakaluan Jabbar. Ndeshja u ndal dhe James ngriti duart lart dhe i gjithë stadiumi i Los Anxhelos shpërtheu në një festë. I pranishëm në stadium, ishte edhe vetë Kareem Abdul-Jabbar, që më pas shkoi të takonte njeriun që i theu rekordin.

“Të jesh në praninë e një legjende si Kareem do të thotë shumë për mua. Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi në 20 vitet e karrierës time. Pasioni juaj dhe sakrificat e mia më ndihmuan për të arritur këtu”, tha LeBron James, që falënderoi familjen, fansat, klubin, të gjithë.

“Dua të falënderoj edhe komisionerët e NBA-së, Adam Silver dhe David Stern, që më dhanë mundësinë të jem pjesë e një diçkaje të madhe. Diçka që e kam ëndërruar gjithnjë. Kjo është një ditë e jashtëzakonshme për mua”, tha James. Për fat të keq, Lakers nuk e fituan dot ndeshjen ndaj Oklahoma.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share