Moda e së ardhmes, prodhohet një xhaketë nga bakteret

Çfarë mund të përftohet kur bakteret ushqehen  me mbetje industriale frutash?  “Një xhaketë e verdhë lëkure” mund të mos jetë përgjigjja e parë që ju vjen ndërmend, por është pikërisht rezultati i një bashkëpunimit mes markës daneze Ganni dhe kompanisë meksikane të biomaterialeve, Polybion.

Xhaketa, një prototip unik që mendohet t’i paraprijë koleksioneve të së ardhmes është qepur nga celuloza bakteriale dhe nuk imiton karakteristikat e lëkurës por duket si një material tërësisht i ri.

“Rreth 5 vite më parë, një mik hyri në zyrën time dhe më vuri përpara një kavanoz me kombucha. Ne përftuam bakteret e para prej asaj pijeje”, thotë bashkëthemeluesi i Polybion, Gómez-Ortigoza.

Kombucha është një lloj çaji i fermentuar dhe biomasa bakteriale e përdorur për të bërë xhaketën, e quajtur Celium, vjen prej kësaj pijeje. Prej asaj kohe, Polybion i është përkushtuar fermentimit bakterial dhe e quan si një burim të ri premtues dhe alternativë për lëkurën e cilësisë së lartë.

Për të ushqyer bakteret, Polybion përdor mbetjet e frutave të konservuara, kryesisht mango. “Ne i ushqejmë bakteret me mbetjet e frutave që janë shumë të pranishme këtu në Meksikën qendrore. Ne e kthejmë në ushqim për to duke shtuar një formulë të veçantë që e kthen në një faktor rritës për to”, shpjegon Gómez-Ortigoza.

“Bakteret riprodhohen dhe gjenerojnë matriksin e nanocelulozës si nënprodukt metabolik të cilin ne e grumbullojmë pas 2 javës dhe më pas ndiqen procedurat e ngjyrosjes e të tjerat me radhë”.

Materiali është organik dhe shumë i ngjashëm me lëkurën, çka ka nxitur interesin e markave të njohura.

Xhaketa nuk është në shitje, por marka daneze planifikon që veshjet e prodhuara me materialin Celium të dalin në treg në vitin 2024./tvklan.al


Lexo gjithashtu
Total
0
Share