Mitsotakis prezanton planin për krizën klimatike

Reformat do të vijojnë pa rrezikuar stabilitetin fiskal të vendit që vendi të mos përjetojë sërish kriza

Greqia do të vijojë reformat për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të ofruar masa ndihme për ata që janë goditur nga fatkeqësitë natyrore, por pa rrezikuar përparimin fiskal të vendit.

Në fjalimin e tij nga qyteti verior i Selanikut, Kyriakos Mitsotakis iu referua sfidave me të cilat përballet vendi pas zjarreve dhe përmbytjeve.

“Unë kurrë nuk do të vë në rrezik stabilitetin fiskal që përbën themelin e përparimit tonë. Nuk do të lejoj kurrë të kalojmë traumën e një falimentimi kombëtar. Prioriteti ynë i parë është të ndihmojmë qytetarët në zonat e përmbytura, të mbështesim bizneset, fermerët dhe blegtorët. Me fonde europiane dhe kombëtare do të rikthejnë ritmin e jetës në shoqëri dhe ekonominë e zonave të prekura. Angazhimi im i dytë është që do të bëjmë çmos që kjo betejë e pabarabartë me krizën klimatike të mos jetë e humbur.”

Kryeministri konservator tha se rezervat e shtetit për fatkeqësitë natyrore do të dyfishohen në 600 milionë euro vitin e ardhshëm, dhe do të sigurohen nga një taksë për akomodimin në hotelet luksoze. Midis masave të shpallura Mitsotakis ka veçuar atë të sigurimit të detyrueshëm të të gjitha shtëpive dhe bizneseve për shkak të krizës klimatike dhe pasojave që ajo shkakton.

Ai përsëriti se pagat e sektorit publik do të rriten dhe se paga minimale mujore prej 780 Euro do të rritet sërish nga Prilli 2024. Stuhia përfshiu Thesalinë në Greqinë qendrore për tre ditë, përmbyti qytete dhe fshatra. Qindra banorë u zhvendosën, prodhimi u shkatërrua dhe dhjetëra mijëra kafshë u mbytën.

Por zjarret dhe përmbytjet pritet të rëndojnë ekonominë, e cila kohët e fundit ka dalë nga një krizë borxhi. Trajtimi i katastrofave nga qeveria ka dëmtuar imazhin e qeverisë në publik. Një sondazh i Metron Analysis i publikuar për Mega TV tregoi se 61% e të anketuarve kishin një opinion negativ për punën e qeverisë.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share