Gjyqi në Hagë, avokati: Thaçi nuk e kontrollonte UÇK-në

“Nuk kishte mundësi të parandalonte apo ndëshkonte krimet nëpër zona”

Vijon seanca e dytë gjyqësore në Hagë në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Sot radhën e ka mbrojtja ku do të bëjnë deklarimet e tyre për të hedhur poshtë pretendimet e Prokurorisë Speciale.

Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, sërish insistoi se Thaçi nuk kishte pushtet real gjatë luftës, ashtu siç pretendon prokuroria se ai ka udhëhequr një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”.

“Hashim Thaçi nuk kontrollonte UÇK-në, e kontrollonin komandantët e zonave”, tha ai.

Kehoe po ashtu kundërshtoi një prej pikave kyçe të aktakuzës së Speciales, që thotë se synimi kryesor i Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, ishte të merrnin kontrollin e Kosovës.

“Nuk është aspak e vërtetë”, tha ai.

Ai tha se Qeveria e Përkohshme e udhëhequr nga Thaçi, kshte qëllim të ishte me bazë të gjerë, ashtu siç kishte kërkuar SHBA-ja, tha Kehoe.

Në këtë Qeveri të Përkohshme, sipas Kehoe, kishte vend për Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndonëse ky subjekt refuzoi të merrte pjesë. Ky ekzekutiv, sipas mbrojtësit të Thaçit, nuk u krijua për të shënjestruar “kundërshtarët” e as për shfrytëzuar vakuumin e pushtetit.

Avokati i Thaçit u shpreh më tej se klienti i tij nuk kishte mundësi të parandalonte apo të ndëshkonte krimet që ndodhnin nëpër zona sepse pushteti real u takonte komandantëve të zonave.

“Hashim Thaçi nuk kishte mundësinë të parandalonte apo të ndëshkonte krimet që ndodhnin nëpër zona. Pushteti real u takonte komandantëve të zonave”, tha ai.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata dyshohen për vrasje të serbëve, romëve dhe kundërshtarëve të tjerë në luftën e viteve 1998/99 në Kosovë. Krimet e supozuara përfshijnë: vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë, dhe janë kryer në disa qytete të Kosovës dhe në disa zona të veri të Shqipërisë./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share