Një teleskop europian u nis në hapësirë nga Florida në kërkim për të zgjidhur një nga pyetjet më të mëdha të shkencës: Nga çfarë përbëhet universi?
Misioni Euklid do të bëjë një hartë 3D të kozmosit në një përpjekje për të zgjidhur disa nga vetitë e të ashtuquajturave materie e errët dhe energji e errët. Së bashku, këto fenomene ndodhin për të kontrolluar formën dhe zgjerimin e gjithçkaje që ne shohim atje jashtë.
Studiuesit pranojnë se ata nuk dinë pothuajse asgjë rreth tyre. Materia dhe energjia e errët nuk janë të zbulueshme direkt. Ky hendek i madh në njohuri do të thotë se ne nuk mund të shpjegojmë vërtet origjinën tonë, tha profesoresha Isobel Hook. Euklidi do të jetë mundësia më e mirë për të hyrë në një rrugë të të kuptuarit më mirë të kësaj.
“Ne do të bëjmë një hartë të universit për t’u përpjekur që të kuptojmë se ku përshtatemi dhe se si kemi ardhur këtu, si u bë i gjithë universi nga shpërthimi i Bing Bang në galaksitë e bukura që shohim përreth nesh, sistemin diellor dhe deri tek jeta”, tha ajo për BBC News.
Për ndërtimin e teleskopit u paguan mbi 1.4 milardë Euro. Euklidi është dërguar në një pozicion vëzhgimi rreth 1.5 milion kilometra nga Toka, në anën e kundërt të planetit me Diellin.
Eksperimentet e mëparshme kanë sugjeruar se energjia e errët përbën 70 përqind të energjisë në Univers, materia e errët përbën 25 përqind dhe materialet e dukshme, si yjet, gazrat, pluhurat, planetet, ne, përbëjnë vetëm 5%.
Pra Euklidi ka për detyrë që për një periudhë 6 vjeçare të vëzhgojë dhe zbërthejë rreth 95% të natyrës së universit që për ne njerëzit mbetet ende mister.
Një detyrë kryesore do të jetë hartimi i shpërndarjes së materies së errët, materia që nuk mund të zbulohet drejtpërdrejt, por që astronomët e dinë se është atje për shkak të efekteve të saj gravitacionale në lëndën që mund të shohim.
Galaktikat, për shembull, nuk mund të mbanin formën e tyre nëse nuk do të ishte prania e disa “skelave” shtesë. Kjo supozohet të jetë materia e errët apo çfarëdo qoftë ajo.
Edhe pse ky material nuk mund të shihet drejtpërdrejt, teleskopi mund të përshkruajë shpërndarjen e tij duke kërkuar mënyrën delikate që masa e tij shtrembëron dritën që vjen nga galaktikat e largëta.
Energjia e errët është koncept tjetër nga materia e errët. Kjo “forcë” misterioze duket se po përshpejton zgjerimin e Universit. Njohja e ekzistencës dhe efektit të saj në 1998 u dha tre shkencëtarëve çmimin Nobel.
Euklidi do të hetojë fenomenin duke hartuar shpërndarjen tredimensionale të galaktikave. Modelet në zbrazëtirat e mëdha që ekzistojnë midis këtyre objekteve mund të përdoren si një lloj “matësi” për të matur zgjerimin në kohë.
Pra Euklidi do të masë pozicionet e sakta të rreth dy miliardë galaktikave në rreth 10 miliardë vite dritë nga Toka./tvklan.al