Miqësorja me Italinë/ Reja: Kemi probleme me dëmtimet dhe ata që nuk i lejojnë ekipet

Miqësorja e 16 Nëntorit me Italinë në Tiranë do të jetë e veçantë për tifozët, por edhe për trajnerin Edoardo Reja. Një ndeshje e kërkuar me ngulm edhe nga Reja, kur kampionët e Europës nuk arritën të kualifikoheshin në finalet e Botërorit.

Edoardo Reja: Mora vesh nga media që ata po kërkonin kundërshtarë për të luajtur në miqësore. Telefonova menjëherë Presidentin Duka dhe i thashë që të tentojmë të parët që të organizonim një miqësore me ta dhe pasi negociuam gjithçka shkoi mirë dhe Italia pranoi të luante me Shqipërinë.

Pas ndjesive për sfidën me vendin e tij Reja sqaroi edhe situatën e lojtarëve.

Edoardo Reja: Më vjen keq që kemi shumë dëmtime, kam një listë të gjatë këtu. Balliu ka pak probleme dhe mbetet t’u vendosur. Dërrmaku, Gjasula, Manaj, Çekiçi, Veseli e Strakosha janë të dëmtuar. Më pas ka probleme edhe klubet, që nuk i lënë lojtarët të lirë. Është Balaj, Cikalleshi apo Uzuni, që ka ndeshje dhe është në pikëpyetje, dhe nuk i lënë.

Reja tha edhe se çfarë pret nga Italia, që ka vetëm fitore me Shqipërinë në 3 ndeshjet e mëparshme.

Edoardo Reja: Mançinin e njoh mirë, ai nuk do vijë këtu për shëtitje dhe me siguri do të provojë ndonjë lojtar të ri, por edhe ai duhet të ketë në konsideratë gjendjen e lojtarëve që luajnë këtë fundjavë në Serie A. Patjetër, Italia është një skuadër e frikshme, i dimë vlerat e tyre, por mua më intereson që Shqipëria të zhvillojë një ndeshje të mirë dhe të jetë në lartësinë e duhur.

Shqipëria përveç sfidës me Italinë të mërkurën do të zhvillojë edhe një miqësore me Armeninë të shtunën. Të dy këto përballje do të transmetohen direkt në TV Klan.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share