“PROLONGIMI I MIRATIMIT TË NDRYSHIMEVE, NËNKUPTON PROLONGIM TË ANËTARËSIMIT”
Ministrat e Jashtëm të Austrisë, Çekisë dhe Sllovakisë kanë porositur sot nga Shkupi, që të rrumbullakësohet procesi i miratimit të ndryshimeve kushtetuese. Duke përcjellë porosinë e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrel, ata thanë se, nëse vendi nuk miraton këto ndryshime, Maqedonia e Veriut do të përballet me rrezikun që të izolohet. Minstri i Jashtëm austriak, Aleksandar Shalenberg, tha se, “porosia jonë është e thjeshtë dhe e fuqishme, është një porosi inkurajuese – nuk ka kohë për të humbur, ne dëshirojmë që ju të vazhdoni me ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të vazhduar negociatat për anëtarësim. Sipas tij, prolongimi i miratimit të ndryshimeve, nënkupton prolongim të anëtarësimit.
“Duhet përgjegjësi politike dhe të merren parasysh interesat shtetërore dhe jo ato partiake. Momenti është tani. Nuk ndërhyjmë në çështjet e brendshme të vendit, zgjidhja mund të vjen vetëm nga Maqedonia e Veriut. Zgjidhja nuk do të vjen nga Brukseli, Vjena, Praga apo Bratisllava, ndërsa ju sigurojmë se nuk do të vjen as nga Sofja. Varet nga ju nëse do të ecni përpara. Nuk duhet të harrohet situata gjeopolitike” – tha Aleksandar Shalenberg, ministër i Jashtëm i Austrisë.
Kryediplomati çek, Jan Lipavski inkurajoi gjithë faktorët politik, që të ndërmerren hapat e nevojshëm për vendin për anëtarësim në BE.
“Ne e konsiderojmë vendin si pjesë të familjes evropiane dhe thjeshtë, procesi duhet të përfundojë. E kuptoj që situata nuk është e lehtë dhe shpresoj se do të mund të tejkalohet përmes negociatave” – tha Jan Lipavski, ministër i Jashtëm i Çekisë.
Ndërkaq, ministri i tij nga Sllovakia, Mirosllav Vllahovski, theksoi nevojën e arritjes së konsensusit politik për ndryshimet kushtetuese, duke shtuar se, BE dëshiron që vendi të kthehet në pozicionin e liderit të Ballkanit në eurointegrime. Ai shpreson që, procesi i anëtarësimit të përfundojë deri në vitin 2030.
Kryediplomati i vendit, Bujar Osmani përsëriti se, nuk duhet të lëshohet momenti aktual dhe vendi duhet të vazhdojë në rrugën eurointegruese.
“Maqedonia e Veriut nuk guxon t’ia lejoj vetes që të ndahet dhe t’u takojë vendeve kandidate që kanë çështje të hapura dhe për të cilat nuk do të ketë korsi të shpejtë për anëtarësim. Përkundrazi, do të bëjmë gabim historik nëse nuk qëndrojmë në rrugën aktuale, në të cilën u rikthyem me shumë vështirësi” – tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm i RMV-së.
Tre ministrat evropian, në kuadër të vizitës së tyre në Shkup, kanë realizuar takime edhe me liderin e VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoskin, atë të BDI-së, Ali Ahmetin, me presidentin Stevo Pendarovski dhe me deputetët e shumicës parlamentare, të cilëve ua përcolli porositë nga Brukseli. /KlanMacedonia/