Mijëra palestinezë ikin drejt Gazës jugore prej bombave

Izraeli merr nën kontroll të plotë lagjen Jabalia, i pari territor që konsiderohet bastion i Hamasit

Ushtria izraelite ka rihapur korridorin Salah al-Din për të lejuar civilët në Gazën veriore të lëvizin në jug.

Rreth 50,000 njerëz arritën që të evakuoheshin përmes kësaj rruge një ditë më parë, sipas OKB-së, numri më i madh në një ditë të vetme. Sipas ekspertëve edhe kjo rrugë është e rrezikshme pasi nga bombardimet e vazhdueshme të evakuuarit mund të vriten çdo moment teksa largohen drejt jugut.

Ndërkaq sulmet ajrore vijuan sërish me një intesitet të lartë edhe gjatë natës. Dhjetra palestinezë u vranë në bombardimet intensive izraelite në kampin e refugjatëve Jabalia në veri dhe Sabra në perëndim të Gazës si dhe spitalin Al Shifa më të madhin në qytet. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kanë marrë nën kontroll një fortesë të Hamasit në Jabalia në Gazën veriore. Atyre iu deshën 10 orë luftime ku eliminuan terroristët, kapën armë, zbuluan tunele të vendosur pranë një kopshti fëmijësh.

Mansour Shouman, i cili ka jetuar në qytetin e Gazës për dy vjet, por që është strehuar në Khan Younis në jug të territorit, shprehet se ndërtesat fetare, vendet kulturore dhe spitalet tanimë janë shkatërruar dhe askund nuk ka një vend të sigurtë.

“Spitalet tona janë bombarduar. Shkollat. Qendrat e refugjatëve. Kishat. Xhamitë. Qendrat e kulturës. Njerëzit në ambulance vriten nga sulmet ajrore. Dua të them, krimet e luftës po ndodhin këtu. Shikoni, ne jemi në një pikë kthese historike, besoj, jo vetëm në Palestinë apo në rajon, por në botë. Dhe unë mendoj se ajo që po ndodh do të ketë pasoja për shumë vite dhe dekada në vijim.”

I dyti nga udhëheqësit në komandën e Hezbollahut Sheikh Naim Qassem në një intervistë për BBC u shpreh se vrasja e civilëve nga Izraeli në Gaza rrezikon të shkaktojë një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme duke shkaktuar zhvillime shumë serioze dhe shumë të rrezikshme dhe askush nuk do të jetë në gjendje t’i ndalojë pasojat. Ndërkaq gjatë një konference presidenti francez Emmanuel Macron kërkoi që të vendoset shpejt një pauzë humanitare për të mbrojtur civilët.

“Situata është e rëndë dhe po përkeqësohet çdo ditë. Në një afat të shkurtër, ne duhet të punojmë për mbrojtjen e civilëve dhe për ta bërë këtë, ne kemi nevojë për një pauzë humanitare shumë shpejt dhe ne duhet të përpiqemi për një armëpushim kjo duhet të bëhet me patjetër. Dhe në terma afatgjatë, ky është gjithashtu një kusht për luftën tonë kundër terroristëve.”

Gjithashtu edhe Bregu Perëndimor po shikon një rritje të dhunës në të njëjtën kohë. Sipas OKB- së më shumë se 150 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite. Përveç bastisjeve në Jenin, forcat izraelite kanë kryer bastisje në disa qytete. Pesë palestinezë u vranë vranë në rrethet e Hebronit dhe Betlehemit gjatë natës dhe 20 familje u larguan pasi shtëpitë e tyre u bombarduan.

Komisioneri i OKB-së për të drejtat e njeriut Folker Turk gjatë një vizite në pikën kufitare të Rafahut në anën egjiptiane akuzoi si Izraelin ashtu edhe Hamasin se po kryejnë krime lufte. Krim lufte sipas tij është “dënimi kolektiv që Izraeli po u bën civilëve në Gaza” dhe evakuimi me dhunë i tyre, por edhe mbajtja për një kohë të gjatë e pengjeve nga Hamasi. Në më shumë se një muaj luftime, në mbi 10 500 palestinezë kanë humbur jetën, gati gjysma e të cilëve fëmijë. 50 mijë palestinezë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre në Gaza. Ndërsa mes izraelitëve kanë humbur jetën 1500 persona.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share