Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska-Davkova ia dorëzoi sot mandatin për formimin e Qeverisë së re kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili pas zgjedhjeve të 8 majit siguroi shumicën parlamentare me koalicionin VLEN dhe Lëvizjen ZNAM, që u konfirmua gjatë zgjedhjes së Afrim Gashit për kryetar të Kuvendit.
Mickoski, në deklaratën e dhënë për media pas marrjes së mandatit, tha se së shpejti do të formohet qeveria e re, e cila do të ketë detyre dhe qëllim kryesor që të merret me reforma dhe t’i çojë proceset përpara.
“Dua të njoftoj se së shpejti do të formohet një qeveri e re, një qeveri reformuese. Një qeveri që do të ketë qëllim dhe detyrë bazë që të merret me reformat, t’i çojë proceset përpara. Sot fillojnë konsultimet brendapartiake dhe brenda koalicionit rreth propozimeve për anëtarët e Qeverisë”, tha Miskoski.
I pyetur se si e komenton deklaratën e Afrim Gashit se, vendlindja e tij është Kosova, Mickoski tha se nuk e ka dëgjuar këtë deklaratë, por nëse ka thënë kështu duhet t’ju kërkojë falje qytetarëve.
“Nëse ka një deklaratë të tillë, atëherë mendoj se duhet t’u kërkoj falje qytetarëve nga Maqedonia edhe atë sa më shpejtë ta bëjë këtë, duke pasur parasysh se merr pagë prej këtu dhe nga ana e maqedonasve, turqve, shqiptarëve, vllahëve është zgjedhur për kryeparlamentar”, tha Mickoski.
Ndërkaq, sa i përket paralajmërimeve të kryeministrit grek, Kirjakos Mickotakis se, në rast se Mickoski kur të bëhet edhe zyrtarisht kryeministër nuk jep deklaratë të qartë se e respekton Marrëveshjen e Prespës “do të ketë përvojën e parë të pakëndshme” në samitin e NATO-s në fillim të korrikut, Mickoski tha se do t’i respektojë ligjet dhe Kushtetutën dhe nuk ka dilema rreth kësaj.
“Marrëveshja e Prespës është pjesë e Kushtetutës dhe ligjeve. Nuk mund të kërkoni të respektohet, ndërsa nga ana tjetër të shkelet. Nga ana tjetër, pres që të ndërtohen raporte të mira fqinjësore që i ngjajnë shekullit 21. Nuk kam qëllim që të sillem në mënyrë talibane, as dikush të sillet në mënyrë talibane”, tha Mickoski.
Prej sot rrjedh afati prej 20 ditësh për formimin e qeverisë. Mickoski pret që qeveria të formohet para afatit përfundimtar, përkatësisht pas shënimit të përvjetorit të partisë që është më 17 qershor./tvklan.mk