Mickoski: Optimizmi i Kovaçevskit është politikbërje

“Ndryshime kushtetuese nuk do të ketë as në të ardhmen, nën këto rrethana”

Përkundër qëndrimeve të zyrtarëve qeveritarë që shprehën optimist se, ndryshimet kushtetuese do të ndodhin, opozita nuk ndan ende këtë mendim. Lideri i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski, duke komentuar deklaratën e fundit të kryeministrit, Dimitar Kovaçevski rreth kësaj teme, tha se ajo është retorikë për qëllime politike dhe se nuk paraqet gjendjen reale. Mickoski ende është i bindur se ndryshime kushtetuese nuk do të ketë dhe partia e tij mbetet e fokusuar në zgjedhjet e ardhshme dhe pret fitore bindëse në dy ciklet zgjedhore vijuese, presidenciale dhe ato parlamentare.

“Optimizmi i tij për mua është politikbërje, sepse në atë mënyrë mendon se, do t’i mbajë të mobilizuar sadopak ato pak persona që mbetën në shtabet e LSDM-së, se ja vetëm sa nuk kanë ndodhur ato ndryshime”, deklaroi Hristijan Mickoski nga VMRO-DPMNE.

Mickoski, madje thotë se, ndryshime kushtetuese nuk do të ketë as në këtë ardhmen kur sipas tij, VMRO të jetë në pushtet, nëse nuk ndryshojnë rrethanat në raport me Bullgarinë.

“Kanë kaluar më shumë se 15 muaj duke përsëritur të njëjtën gjë se, ndryshime kushtetuese nën diktatin bullgar nuk do të ketë, por nuk do të ketë as në të ardhmen dhe VMRO – DPMNE kur do të jetë në Qeveri, nëse nuk ka ndryshim të rrethanave, nëse nuk shohim ndonjë progres i cili do të jetë pak asimetrik të paktën, sepse tash është tërësisht simetrik, përkatësisht është tërësisht në drejtim të kërkesave bullgare, ndryshime kushtetuese nuk do të ketë”, thotë Mickoski.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski porositi të premten, se duhet t’i jepet hapësirë procesit të ndryshimeve kushtetuese, duke tërhequr paralele me Marrëveshjen e Prespës, e cila po ashtu u kundërshtua fuqishëm nga opozita maqedonase, ndërsa tani, sipas tij, edhe kundërshtarët më të mëdhenj të saj, e kanë pranuar se është realitet./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share