Mickoski: BDI-ja të ndal emisarët, Kovaçevski – nuk heqim dorë nga BE-ja!

ZGJEDHJET PARLAMENTARE

“Nuk heqim dorë dhe nuk do të lejojmë që dikush të luajë me të ardhmen e fëmijëve tanë” – tha lideri I LSDM-së, Dimitar Kovaçevski gjatë tubimit partiak në Krushevë.

Sipas tij, qëllimi kryesor i programit parazgjedhor, është që sa më shpejt dhe me sukses të nisin negociatat me BE-në.

“Nuk hoqëm dorë asnjëherë dhe nuk do të heqim dorë nga vizioni për Maqedoni evropiane me standard jetësor evropian, të mos lejojmë që vendi të kthehet në të kaluarën e regjimit, në kohën e konflikteve dhe ndasive të brendshme” – tha Kovaçevski, LSDM.

Edhe nga tubimi në Manastir, kreu I VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, vazhdoi të pretendojë se nga BDI-ja po i vijnë emisarë për qeverinë e ardhshme.

“Një mesazh për BDI-në. Këto ditë më vijnë mesazhe dhe abere nga Reçica. Ndalni emisarët dhe korierët përmes kanaleve të ndryshme që më thonë të mendoj për koalicionimin e ardhshëm pas zgjedhjeve. Unë nuk jam Kovaçevski. Partnerin në qeveri do ta kërkoj tek opozita shqiptare” – tha Mickoski.

Ditëve të fundit në fushatën parazgjedhore vërehet ashpërsimi i retorikës midis VMRO DPMNE-së dhe BDI-së.

Lideri socialdemokrat Kovaçevski bëri thirrje që të ulen tensionet që mund të nxisin tensione ndëretnike. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share