Mickoski: Тë gjithë deputetët e VMRO – DPMNE-së kundër ndryshimeve kushtetuese

Ali Ahmeti do të përfundojë si kriminel i thjeshtë

Përderisa përfaqësues të pushtetit paralajmërojnë takime të ndara me deputetët e VMRO – DPMNE-së, për t’i bindur ata që të votojnë ndryshimet kushtetuese, opozita maqedonase ende nuk ka ndryshuar qëndrim rreth kësaj teme, njofton KlanM.

Lideri i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski deklaroi se, të gjithë deputetët e VMRO – DPMNE-së qëndrojnë pas vendimit se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese nën diktatin bullgar dhe nën këto kushte.

“VMRO – DPMNE nuk do ta përkrahë këtë diktat bullgar, jo tani por as edhe në të ardhmen. Qeveria e ardhshme e VMRO – DPMNE-së, nëse me të vërtetë nuk do të jenë në tavolinë vlerat evropiane, nëse me të vërtetë nuk shohim ndryshime në sjellje, standarde të vërteta evropiane, garancë, ne nuk kemi për qëllim të mbështesim proces të tillë”, tha Mickoski.

Lideri i opozitës maqedonase, sic njofton KlanM, sërish ka sulmuar BDI-në dhe liderin e kësaj partie, Ali Ahmetin. Duke komentuar zhvillimet me nipin e liderit të BDI-së, Mickoski tha se, Ahmeti “do të përfundojë si një kriminel i thjeshtë”.

“Do ta këshilloja që ato pak këshilltarë rreth tij, të cilët e këshillojnë t’i dërgojë porosi opinionit në këtë mënyrë, t’ua ndryshojë pozicionet, ose të ndalojë që të përfshijë familjen në këtë mënyrë. Kishte shanse shumë të madhe, por me kalimin e kohës, ai jo vetëm që e lëshoi atë shans, por është edhe para përfundimit politik të tij si kriminel i thjeshtë”, deklaroi Hristijan Mickoski.

Dy javë më parë, mediat publikuan informacionet, se Drin Ahmeti, që është nipi i liderit të BDI-së, së bashku me një biznesmen nga Shqipëria, kanë blerë qendrën tregtare “Soravia”. Gjatë një konferencë për media, Drin Ahmeti tha se,  kanë tërhequr linjë kreditore nga banka Credins me vlerë 6 milion euro me qëllim mbulimin e borxhit të kompanisë prej 20 milion euro. Megjithatë, ai nuk e tregoi shumën se sa para e kanë blerë qendrën tregtare./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share