Mexhiti: Pres një zgjidhje të drejtë për rastin e Onkologjisë

Ministri i Shëndetësisë,Fatmir Mexhiti, në seancën e sotme të komisionit anketues në Parlament për rastin e Klinikës së radiologjisë dhe onkologjisë, ka trajtuar sfidat në punën e kësaj klinike dhe ka rikujtuar se tashmë janë bërë ndryshime kadrovike në menaxhment.

“Besoj se procedura penale për këtë çështje shumë të ndjeshme do të ketë një zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë. Fajtorët duhet të dihen me emër dhe mbiemër, vetëm kështu do të mund të kthejmë besimin e pacientëve në sistemin shëndetësor dhe të mbrojmë punonjësit e shëndetësisë nga akuzat dhe poshtërimet e përgjithshësuara.

Mexhiti theksoi se tani në klinikë është duke u punuar sipas protokolleve të reja klinike, është vendosur një sistem kontrolli që secilit pacient I mundëson të marrë terapinë e nevojshme. Në këshillin e onkologjisë çdo të mërkurë diskutohet për çdo pacient që duhet të fillojë terapinë, me cilindo ilaç nga i ashtuquajturi buxhet i kushtëzuar, si dhe barnat që janë në listën pozitive, duke potencuar se janë bërë edhe analiza financiare për KATO sistemin.

 Përsa i përket sistemit KATO për dozimin dhe kontrollin e terapisë e cila u jepet pacientëve që trajtohen në Klinikën e Onkologjisë, pak muaj para se ky rast të bëhej publik, janë bërë analiza financiare nëse sistemi KATO duhet të kthehet sërish në funksion apo të sigurohet sistem i ri për të kontrolluar terapinë. Me ribalancimin e ri të buxhetit siguruam kthimin e sistemit KATO, i cili do të parandalojë keqpërdorimet e mundshme në afat të gjatë në të ardhmen, theksoi ministri Mexhiti në deklaratën e tij.

Në Klinikën për Radioterapi dhe Onkologji është duke u bërë instalimi i një përshpejtuesi të ri modern linear për nevojat e pacientëve onkologjikë, si dhe procedura të tjera për përforcim kadrovik, sigurimin e pajisjeve të reja mjekësore dhe decentralizimin e terapisë për pacientët onkologjikë.

Po vazhdojmë përpjekjet për avancimin e punës së kësaj klinike dhe në këtë drejtim do të vazhdoj të inicioj propozime dhe procedura në Qeveri për sigurimin e mjeteve për investime të vazhdueshme në përmirësimin e cilësisë së sistemit shëndetësor. Ndërkihë janë duke u zhvilluar procedura për sigurimin e kuadrove dhe pajisjeve për fillimin e funksionimit të qendrave onkologjike për terapi konservative në spitalet klinike në Shtip dhe Manastir, si dhe në SPQ “8 Shtatori”, theksoi ministri Mexhiti.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share