Propozimi francez shkon në seancë plenare

VMRO PRETENDON SE PROCESI PËR PROPOZIMIN FRANCEZ ËSHTË JOTRANSPARENT

 VMRO – DPMNE pretendon se, procesi në lidhje me propozimin francez nuk është transparent. Kryetari i grupit parlamentar të këtij subjekti politik, Nikolla Micevski kërkoi sot që, të dorëzohen të gjitha dokumentet dhe Kuvendi duhet të jetë i gatshëm të organizojë debat dhe shqyrtim të këtij propozimi.

“Kërkojmë urgjentisht të dorëzohet protokolli maqedonaso – bullgar, i cili paraqet dokumentin më të rëndësishëm në këtë proces dhe i cili është dokument kyç në bazë të së cilit do të dakordohen rregullat e lojës mes dy vendeve në periudhën vijuese”, deklaroi Nikolla Micevski VMRO-DPMNE

Kryetari i grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitrevski këto pretendime të opozitës i quan folklor politik. Sipas tij, dokumentet të cilat i kërkon VMRO DPMNE, jo vetëm që kanë qenë të qasshme por edhe, janë diskutuar në takimin e mbajtur në klubin e deputetëve.

“Materialet për të cilat insiston opozita në lidhje me informatën për përmbajtjen e propozim – kornizës negociuese, të dorëzuar nga Qeveria në shtëpinë ligjvënës, do t’u dorëzohen në mënyrë shtesë deputetëve përmes kryetarit të Kuvendit. Nëse këto materiale nuk kanë qenë të qasshme, atëherë çfarë kemi bërë ne 3-4 orë, në bazë të cilave dokumente kemi biseduar. Në bazë të cilave dokumente krijohet përshtypje apo në bazë të cilave dokumente mbahen konferenca për media nga ana e partisë opozitare”, deklaroi Jovan Mitrevski, LSDM.

Edhe kryetari i grupit parlamentar të BDI-së, Arbër Ademi thotë se opinioni ka pasur mundësi që në mënyrë transparente të njoftohet me përmbajtjen e dokumenteve në lidhje me propozimin francez.

“Aspak nuk kanë qëndruar dhe nuk qëndrojnë pretendimet  e opozitës për mungesë të transparencës, përkundrazi kjo çështje është çështje e rëndësishme e ndjeshme, prandaj dhe Qeveria edhe shumica parlamentare ka pasur dhe ka si objektiv parësor që të njoftojë opinionin me përmbajtjen e këtyre dokumenteve” deklaroi Arbër Ademi nga BDI.

Në lidhje me protokollin bilateral me Bullgarinë, Mitrevski potencoi se përmbajtja e tij nuk është dakorduar ende dhe një dokument i tillë nuk është nënshkruar./KLanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share