Mexhiti: Për shtatë vite kemi ulur vdekshmërinë e foshnjave të lindura para kohe me 74%

Dita Botërore e Fëmijëve Premature ishte rasti që ministri i Shëndetësisë,  Fatmir Mejiti, të vizitojë Klinikën Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë ku kujdesen këta luftëtarë të vegjël.
Ministri Mexhiti theksoi se është i lumtur që mund të ndajë informacionin se po i fitojmë gjithnjë e më shumë betejat me sfidat e lindjes së parakohshme.
“Statistikat tregojnë se duke filluar nga viti 2017 vdekshmëria e foshnjave të lindura para kohe është ulur për 74%, pra në vitin 2016 ishte 25 për qind dhe në vitin 2023 do të arrijë në 5.6 për qind”, informoi Mexhiti.
Gjatë vizitës, ministri Mexhiti theksoi se ky progres fantastik është si rezultat i përmirësimit të kushteve, investimit në pajisje bashkëkohore të Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, si dhe trajnimit të stafit të Klinikës. Ai ia atribuoi rezultatet e shkëlqyera strategjisë efikase me të cilën janë përmirësuar kushtet për nënat lehona dhe është ofruar kujdes i lartë për të sapolindurit.
“Më duhet të theksoj se shëndeti i nënave dhe i të porsalindurve është imperativ për çdo sistem shëndetësor të suksesshëm, dhe pikërishtë zhvillimi dhe zbatimi i Master Planit për kujdesin perinatal është si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta me OBSH-në, UNICEF-in dhe UNFPA-në. Ministria e Shëndetësisë do të mbetet e përkushtuar për krijimin e një mjedisi ku çdo foshnjë e lindur para kohe, të marrë kujdes me standarde më të larta, akses në trajtime inovative dhe mbështetjen e nevojshme për zhvillim”, tha Mexhiti.
Ministri Mexhiti theksoi se nga Klinika Universitare për Gjinekologji Obstetrike, janë larguar shumë familje të buzëqeshura, me foshnjat që kanë lindur vetëm me disa qindra gramë, nga të cilat më e vogla ishte vetëm 660 gramë, dhe bëri të ditur se do të bëhen të gjitha përpjekjet për të vazhduar këtë praktikë pozitive.
Lexo gjithashtu
Total
0
Share