Mexhiti: Me mbështetjen e Birrarisë hapëm shkollën e re të gjidhënies Rosa në spitalin e Tetovës

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, ka vizituar sot Spitalin Klinik të Tetovës me rastin e hapjes së shkollës “Shkolla e ushqyerjes me gji – Rosa”  me mbështetjen e Birrarisë Shkupi.
Në vijim ju përcjellim fjalimin e plotë të tij:
„Arsyeja e vizitës së sotme në Repartin e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në Spitalin Klinik të Tetovës është hapja e shkollës së re “Shkolla e ushqyerjes me gji – Rosa” në këtë institucion publik shëndetësor, ku nënat e reja dhe prindërit e ardhshëm do të kenë mundësinë, me mbështetjen e personelit mjekësor, të marrin asistencë të plotë profesionale në këtë proces, duke përfshirë edukimin për rëndësinë dhe përfitimet e ushqyerjes me gji.
Me këtë rast dëshiroj të theksoj bashkëpunimin e shkëlqyer me “Birrarinë Shkupi”, si kompani me përgjegjësi sociale, me mbështetjen e së cilës, në kuadër të fazës së dytë të këtij projekti, këtë vit po promovojmë dy shkolla të reja për ushqyerjen me gji (nga gjithsej gjashtë deri më tani). Më parë janë hapur nëntë “Shkolla Prindërore – Rosa” në disa institucione shëndetësore publike, me synimin për të mbështetur prindërit në fazat e hershme të prindërimit.
Këtë muaj, përveç spitalit në Tetovë, me mbështetjen e Birrarisë- Shkupi, po pajisim edhe një shkollë të re për gjidhënie në Klinikën për sëmundje të fëmijëve në Shkup, ku ushqyerja me gji është veçanërisht e rëndësishme për fëmijët e lindur para kohe, të cilët trajtohen në këtë klinikë.
Këto shkolla funksionojnë shumë mirë dhe në to prindërit e rinj kanë mundësinë të konsultohen me një ekip ekspertësh – pediatër, gjinekolog-obstetër dhe infermiere patronazhi për avantazhet e ushqyerjes ekskluzive me gji, si dhe për çështje të tjera aktuale që kanë të bëjnë me rrjedhën e shtatzënisë, kujdesin ndaj shtatzënave, përgatitjet për lindjen, kujdesin dhe ushqyerjen e të porsalindurit.
Platforma “Shkolla prindërimi – Rosa” vazhdon edhe në vitin 2024 dhe me këtë rast së bashku me drejtorin e përgjithshëm të “Birraria Shkupi”, Dushan Mitrev, sot po nënshkruajmë Memorandum të përbashkët Bashkëpunimi, për pajisjen e dy shkollave të reja të ushqyerjes me gji në institucionet publike shëndetësore në vend, për të cilat do të japim informacion më konkret në periudhën e ardhshme“ – Mexhiti.
Lexo gjithashtu
Total
0
Share