STOILLKOVSKI: TË DORËHIQET EDHE MINISTRI I TRANSPORTIT
Ndodhitë e fundit në Agjencinë e Aviacionit Civil dhe në Kontrollin e Fluturimeve sipas opozitës flasin për nevozën dhe gjendjen reale në të cilën ndodhet BDI dhe Pushteti. Izet Mexhiti nga Lidhja Europiane për Ndryshim deklaroi sot se BDI ka ndryshuar dhe nuk e njohin as ata që dikur kanë qenë aty.
“BDI-ja është tjetërsuar plotësisht. Nuk e njohim as ne që kemi qenë në fillim aty dhe i ngjan më kasaphanes së 2006-2008. Flet për një nervozë ekstreme dhe kjo nervozë i detyron pra që çdo ditë edhe vitin e ri ta fillojnë me probleme të reja dhe me gabime të reja” – tha Izet Mexhiti.
Ndërsa nga VMRO-DPMNE siç përcjellë Klan M, thonë se ‘BDI dhe LSDM kanë treguar dje fytyrën e tyre false proevropiane. Zëdhënësi Naum Stoillkovski ka deklaruar se dje BDI ndau “grushtat Evropianë” në emër të të ashtuquajturve “Koalicioni Evropian”, me mbështetje të fshehur nga LSDM!
“Bekim Neziri, lideri i rrahësve, nuk është person i rastësishëm, por zyrtar i lartë i njohur i BDI-së. Është e pamundur që ai të hyjë në M-NAV në atë mënyrë pa dijeninë dhe mbështetjen e drejtorëve nga BDI, nga kryesia e partisë dhe natyrisht nga Qeveria. Në publik, derisa gazetarët qëndrojnë aty, madje mbahet një konferencë për media, hyjnë batakçinjtë e BDI-së për të rrahur, u hapen dyert, e deri më tani askush nuk është arrestuar dhe nuk ka dorëheqje”– tha Naum Stoilkovski, VMRO-DPMNE.
Nga VMRO-DPMNE kërkojnë dorëheqjen urgjente të drejtorëve dhe anëtarëve të trupave udhëheqës së M-NAV-it si dhe dorëheqjen e ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski. /KlanMacedonia/