Meteo-alarm: Reshje shiu gjatë gjithë ditës!

RESHJET E SHIUT SHKAKTOJNË KAOS NË TRAFIK

E gjithë Maqedonia e Veriut nga e mërkura është në fazën e “alarmit të verdhë” si paralajmërime për shkak të reshjeve të shiut, njofton KlanM.

Pas stabilizimit kalimtar, sipas metereologëve, për shkak të depërtimit të një vale të lagësht nga Atlantiku, priten reshje shiu që vende-vende do të jenë të rrëmbyeshme vecanërisht në pjesët perëndimore dhe veriore të vendit

Që nga mëngjesi i sotëm, siç njofton KlanM, pjesa veriperëndimore e vendit është kapluar nga reshje të dendura të shiut.

Drejtoria për Punë Hidrometereologjike njoftoi se ekziston mundësia që të bien 20 litra shi në metër katror.

Gjatë 24 orëve të fundit më së shumti shi apo 16 litra në metër katror ka rënë në Kodrën e Diellit.

Reshjet e shiut, sic percjell KlanM, kanë përmbytur rrugë të Shkupit. Situatë më kritike paraqitet në vendet pa kanalizime.

Jo vetëm kaq. Probleme janë shkaktuar edhe me tollovitë në trafik. Gjatë ditës, sic njofton KlanM, janë shënuar bllokime gati në të gjitha udhëkryqet.

Gojëtarët e sprovuar nëpër rrjetet sociale nuk e kanë lëshuar mundësinë për të kritikuar kaosin në trafik.

“Një pikë shiu dhe të gjithë me vetura” – kanë qenë reagimet më të shpeshta nëpër rrjetet sociale, pas bllokimeve që ndodhën nëpër shumë udhëkryqe.

Sipas metereologëve, të enjten sërish do të ketë stabilizim afatshkurtër të motit, derisa të premten dhe gjatë fundjavës përsëri priten reshje shiu që lokalisht do të përcillen me paraqitje të bubullimave.

Për shkak të depërtimit të valës së ftohtë nga veriu, sic njofton KlanM, në viset e larta malore do të ketë edhe reshje bore. Pritet që kufiri të jetë mbi 2.000 metra lartësi mbidetare, por nuk përjashtohet mundësia që në viset veriperëndimore kufiri të zbresë nën 2.000 metra./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share