“Merrja 93 mijë, ndërsa sot 165 mijë denarë rrogë” – Rrëfimi i Pendarovskit / Fillon pagesa e rrogave “të rritura” funksionarëve

Shfuqizimi i neneve të ligjit për pagat nga ana e Gjykatës Kushtetuese, funksionarëve shtetërorë iu rrit rroga për 78%. Nga ky muaj, Presidenti, Kryeparlamentari, Kryeministri, ministrat e funksionarët tjerë do të marrin rroga shumë më të mëdha, përcjell KlanM.

“Pagën e vjetër kam marrë 93 mijë denarë, të renë 165 mijë denarë dhe kjo nuk është sekret”, tha presidenti i Maqedonisë Stevo Pendarovski i pyetur nga gazetarët se sa i është rritur paga. E në fakt, presidenti ka qenë personi i parë zyrtar që kundërshtoi këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar zgjidhje urgjente të kësaj çështjeje, të cilën e quajti të pahijshme.

“Vlerësoj se është e pahijshme që në kohë të krizës ekonomike të rriten pagat të cilat paguhen nga buxheti i shtetit”, deklaroi pas vendimit të GJK-së, presidenti Pendarovski.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski ka deklaruar se meqë nuk e ka marrë edne rrogën e prillit, nuk e di as se sa mund të jetë ajo.

Dje deputeti i VMRO-DPMNE-së Antonijo Milloshoski nuk kishte përgjigje për të njëjtën pyetje sepse nuk e kishte parë në projektligj, gjegjësisht tha se do ta kontrolloj dhe do ta tregoj.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, më të larta janë pagat e krerëve shtetërorë, të cilat arrijnë edhe shumën prej 2.500 eurove.

Listës i prin Kryeparlamentari, Talat Xhaferi me pagë prej 166 mijë denarësh, pak më shumë se Presidenti me 165 mijë denarë e i pasuar nga kryeministri Kovaçevski me pagë prej 156 mijë denarëve, përcjell KlanM.

Mbi 2 mijë euro rrogë marrin edhe zëvendëskryeministrat Artan grubi, fatmir bytyqi, Slavica Gërkovska, Bojan Mariçiq dhe ministrja Sllavjanka Petrovska, ndërsa llogaritet se mbi 150 mijë denarë rrogë do të ketë edhe ministri Spasovski.

Deputetët, sipas llogaritjeve, do të fitojnë plus dy mijë denarë më shumë në ditë në krahasim me të ardhurat e mëparshme. Rritja e pagave përfshin edhe zyrtarët e tjerë të zgjedhur dhe të emëruar, përfshirë kryetarët e komunave.

Deklarativisht, të gjithë funksionarët dhe politikanët janë kundër rritjes së rrogave të tyre në këtë mënyrë dhe kanëkërkuar të gjendet zgjidhje, por deri atëherë, të gjithë do marrin paga më të larta./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share