FJALËT PËRFUNDIMTARE TË PROKURORISË DHE PALËS MBROJTËSE
Me fjalët përfundimtare të Prokurorisë dhe mbrojtjes, përfundoi seanca kryesore gjyqësore për zjarrin në spitalin modular në Tetovë. Për shkak të vëllimit të lëndës, gjykatësi Jordan Velkov, shpalljen e aktvendimit e caktoi për më 5 Qershor. Prokuroria mbetet në akuzën se tre të akuzuarit dhe Spitali Klinik I Tetovës si person juridik, kanë kryer veprat penale për të cilat ngarkohen, njofton KlanM.
Prokuroria ka kërkuar që tre të akuzuarit bashkë me Spitalin Klinik të Tetovës si person juridik, të shpallen fajtorë.
Në fjalën përfundimtare Prokuroria tha se nga dëshmitë e siguruara është konstatuar se në hapësirat e spitalit modular nuk ka pasur aparate kundër zjarrit.
Si përgjegjës, sic percjell KlanM, i ka vlerësuar Drejtorin e Spitalit, Florin Besimin dhe Drejtorin financiar, Artan Etemin, kurse për mjekun Boban Vuçevski, Prokuroria ka konstatuar se si përgjegjës, nuk ka vepruar sipas rregullave për prezencën e personave të paautorizuar në spitalin modular.
Nga ana tjetër, pala mbrojtëse vlerëson se Prokuroria nuk ka arritur ta dëshmojë fajësinë dhe ka kërkuar lirimin e të akuzuarve.
Sipas mbrojtjes, nga dëshmitë është konfirmuar se në spitalin modular janë respektuar protokollet për persona të jashtëm dhe se ka pasur aparate kundër zjarrit.
Në fjalën përfundimtare të palës mbrojtëse, sic percjell KlanM, është thënë se Spitali Klinik dhe Drejtorët Besimi dhe Etemi, si persona përgjegjës nuk e kanë marrë marrëveshjen për Huamarrje nga Banka Botërore, por edhe planin për mbrojtjen e ambientit jetësor dhe social për t`u njoftuar me obligimet e tyre.
Fjalë përfundimtare, sic percjell KlanM, dhanë edhe përfaqësuesit e personave që humbën jetën apo u lënduan gjatë zjarrit katastrofal në spitalin modular në Tetovë. Ata kërkuan nga gjykata dëmshpërblim për dëmet dhe harxhimet.
Në zjarrin që shpërtheu në spitalin modular të Tetovës më 8 Shtator 2021 jetën e humbën 14 njerëz. /KlanMacedonia/