Ai i bëri homazhe nënës së tij të ndjerë Mbretëreshës Elizabeth II ndërsa bëri thirrje për paqe në këto kohë te vështira.
Mbreti Charles III i Britanisë Madhe dha mesazhin e tij të parë të Krishtlindjeve, duke i bërë homazhe nënës së tij të ndjerë Mbretëreshës Elizabeth II.
Duke i bërë jehonë fjalëve të nënës së tij në mesazhin e saj të fundit për Krishtlindje, ku ajo foli për pikëllimin e saj për humbjen e bashkëshortit të saj Princit Philip, Charles Mbreti u shpreh se Krishtlindjet i dedikohen atyre që kanë humbur të dashurit.
Mbreti Charles III: Ndërsa Krishtlindja është sigurisht një festë e krishterë, fuqia e dritës që kapërcen errësirën festohet përtej kufijve të besimit. Pra, çfarëdo besimi që keni apo nëse nuk keni të tillë, festa është në këtë dite jetëdhënëse dhe me përulësinë e vërtetë që qëndron në shërbimin tonë ndaj të tjerëve që unë besoj se mund të gjejmë shpresë për të ardhmen. Në këtë kohë ankthi dhe vështirësie të mëdha, qoftë për ata në mbarë botën që përballen me konflikte, zi buke apo fatkeqësi natyrore, ose për ata në shtëpi që gjejnë mënyra për të paguar faturat le ta festojmë së bashku dhe të vlerësojmë gjithmonë çfarë kemi. Me gjithë zemër, ju uroj një Krishtlindje me paqe, lumturi dhe dritë të përjetshme.
Charles dha mesazhin e tij në kapelën e Shën Gjergjit në Windsor, ku mbretëresha dhe Princi Philip janë varrosur të dy. Pamjet e familjes mbretërore, duke përfshirë Princin William dhe Princeshën Kate të Uellsit, u shfaqën në ekran ndërsa ai fliste.
Në një mesazh të veçantë të regjistruar paraprakisht të transmetuar për kombin në Westminster Abbey, Princesha e Uellsit Kate Middleton tha se Krishtlindjet e para të familjes mbretërore pa monarken e ndjerë dhe do të ndihen shumë ndryshe.
Kate Middlelton Princesha e Uellsit: Këto Krishtlindje do të jenë të parat tona pa madhërinë e saj të ndjerë, Mbretëreshën Elizabeth. Ceremonia dhe ritualet e të këtij viti i dedikohen asaj dhe të gjithë atyre që fatkeqësisht nuk janë më me ne. Pra, ndërsa Krishtlindjet do të ndihen shumë ndryshe këtë vit,ne ende mund të kujtojmë kujtimet dhe traditat që kemi ndarë, të marrim kohë për të festuar me familjen dhe miqtë dhe të gjitha gjërat e mrekullueshme që i bëjnë Krishtlindjet kaq të veçanta.
Në mesazhin e tij, gjithashtu mbreti bëri homazh edhe për punonjësit e sektorit publik dhe të kujdesit shëndetësor, organizatave bamirëse dhe institucioneve fetare, duke i vlerësuar këta të fundit për punën e tyre gjatë krizës së vazhdueshme e cila nisi me agresionin rus në Ukrainë por që pati një ndikim shumë të madh në ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar.
Klan News