Masakrat në Serbi ndezin alarmin – Të ndalohet Tik-Toku?!

MINISTRI ALIU: DUHET TË RREGULLOHEN PLATFORMAT SOCIALE

Dy masakrat në Serbi kanë ndezur alarmin edhe në institucionet e Maqedonisë së Veriut. Tragjedia në Beograd hapi dilemën se si zhvillohen të rinjtë dhe si të parandalohet dhuna nëpër shkolla. Gjithnjë e më të zëshme janë nismat për të ndaluar rrjetin social “Tik-Tok”, njofton KlanM.

Ministri Shaqiri dje njoftoi se pas sulmeve në Serbi, tashmë përgatiten protokolle për shërbimet profesionale të shkollave dhe mësimdhënësit, kurse duhet të kufizohet ose tërësisht të pamundësohet, përdorimi i rrjeteve sociale, në radhë të parë të Tik-Tokut, me qëllim që të ruhet siguria e nxënësve.

Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Azir Aliu, sic percjell KlanM, përmes një komunikate ka komentuar nismat për ndalimin e Tik-Tokut.

Ai thotë se mbështesin sanksionimin e çdo burimi të gjuhës së urrejtjes dhe dhunës dhe se duhet të bëhet dallimi midis gjuhës së urrejtjes si dhe burimeve të gjuhës së urrejtjes nga njëra anë dhe vetë platformave përmes të cilave do të transmetohej një gjuhë e tillë.

“Ministria merr parasysh të gjitha platformat sociale pa përjashtim. Edhe pse aktualisht nuk mbajmë qëndrim për ndalimin e asnjë platforme sociale, por edhe si prindër, besojmë fuqishëm se platformat sociale si fenomen i qytetërimit të kohës sonë duhet të fillojnë të rregullohen. Rrjedhimisht, ne si Ministri tashmë jemi duke ndërmarrë aktivitete përgatitore në atë drejtim dhe në kohën e duhur do të përfshihemi me nisma shoqërore”, tha Azir Aliu.

Ndalimin e “Tik-Tokut” dhe të rrjeteve sociale që nxisin dhunë, sic percjell KlanM, dje kërkoi edhe Kryetarja e Partisë Liberal-Demokrate dhe deputetja, Monika Zajkova.

Sipas një analize të vitit të kaluar të sektorit joqeveritar në vend, sic njofton KlanM, në Maqedoninë e Veriut 25 deri 30% e nxënësve të shkollave të mesme kryejnë ndonjë lloj dhune ndaj moshatarëve të tyre në shkollë, kurse 14% e fëmijëve kanë konfirmuar se për një periudhë të gjatë kanë qenë viktima të dhunës apo bulizmit./KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share