Maqedonia e Veriut mban zgjedhjet presidenciale

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut u janë drejtuar të mërkurën kutive të votimit për të zgjedhur presidentin e shtetit.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), të drejtë vote kanë 1.814.317 votues, të cilët duhet të zgjedhin mes shtatë kandidatëve për president të Maqedonisë së Veriut.

Këto do të jenë zgjedhjet e shtata radhazi presidenciale në të cilat marrin pjesë shtatë kandidatë në raundin e parë të procesit zgjedhor. I njëjti numër kandidatësh kishte edhe në vitin 2009.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Sipas legjislacionit, kandidati për president mund të fitojë në raundin e parë nëse arrin të marrë më shumë se 50% të votave të të gjithë votuesve të regjistruar në listën zgjedhore. Nëse kjo nuk ndodh, zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve, në të cilin garojnë dy kandidatët me më së shumti vota nga raundi i parë. Pjesëmarrja e votuesve në raundin e dytë duhet të jetë mbi 40%, në mënyrë që votimi të konsiderohet i vlefshëm.

Nëse në raundin e dytë të votimit asnjë nga kandidatët nuk ka marrë shumicën e nevojshme të votave, përsëritet e gjithë procedura e zgjedhjes.

Pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtur sot, raundi i dytë eventual është caktuar për më 8 maj, së bashku me zgjedhjet e rregullta parlamentare.

KShZ-ja informon se ka interesim të madh për vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve nga organizatat dhe mediet vendore, të huaja dhe ndërkombëtare.

KShZ-ja deri më tani ka lëshuar akreditime për vëzhgim për 342 vëzhgues vendas, 517 vëzhgues të huaj dhe ndërkombëtarë, 51 përkthyes dhe 32 gazetarë të huaj.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share